Real Madridi nuk mundet më shumë se një barazim në udhëtim te Bilbao

E publikuar: 16/09/2018 03:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Real Madridi nuk ka mundur të marrë më shumë se një barazim 1-1 në udhëtimin e tyre te Athletic Bilbao në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt në La Liga.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat patën nga disa raste, por vetëm vendasit arritën ta bëjnë diferencën duke gjetur rrjetën.

Zhvillohej minuta e 32-të e ndeshjes kur Iker Muniain shënoi nga afërsia dhe kalojë skuadrën e tij në epërsi prej 1-0.

Real Madridi rrezikoi me anë të Marco Asensios (30′) dhe Luka Modric (38′), por pa arritur ta gjejnë cakun dhe shkuan në pushim me disavantazh.

Në pjesën e dytë, Mbretërit filluan furishëm duke rrezikuar seriozisht me anë të Sergio Ramos (61′), por goditja e tij nuk e gjeti rrjetën.

Megjithatë, pas vetëm tre minutave në skenë doli Isco Alarcon, i cili hyri vetëm para disa minutash në lojë dhe shënoi nga afërsia për 1-1.

Në minutat e mbetura deri në fund loja ishte shumë interesante dhe e hapur nga të dyja skuadrat, por edhe përkundër rasteve të shumta shifrat mbeten të pandryshuara dhe skuadrat u desh të kënaqen me barazim.

Pas këtij barazimi, Reali e sheh veten në pozitën e dytë me 10 pikë, ndërsa Bilbao zë vendin e katërt me pesë pikë, por një ndeshje më pak.

Në ndeshjen e radhës, baskët udhëtojnë te Real Betisi, ndërsa Reali e pret në shtëpi Espanyolin. /Telegrafi/

https://www.dailymotion.com/video/x6to8cl