Real Madridi insiston: Ne s’do të lejojmë tifozë në stadium

E publikuar: 10/06/2020 11:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përkundër lajmit që tifozët mund të lejohen brenda stadiumeve të futbollit nga 29 qershori, Real Madridi insiston se nuk do të lejojë që tifozët të hyjnë në stadiumin Alfredo di Stefano për t’i ndjekur ndeshjet e tyre.

Këtë të martë u raportua se, pas takimit të Këshillit të Ministrave, qeveria spanjolle vendosi që tifozët të mundë të kthehen në stadiume për t’i ndjekur ndeshjet e ekipit të tyre të zemrës nga 29 qershori, transmeton Gazeta Express.

Përderisa shumica e klubeve spanjolle e mirëpritën këtë lajm, e përditshmja spanjolle Marca raporton se Real Madridit nuk i ka bërë përshtypje, pasi që planifikon të mos e shfrytëzojë këtë të drejtë.

Klubi dëshiron që t’i zhvillojë ndeshjet e mbetura të këtij sezoni prapa dyerve të mbyllura në Alfredo di Stefano, pasi që Santiago Bernabeu është duke u rinovuar, dhe nuk dëshiron as ta shqyrtojë mundësinë që të lejohen tifozët brenda në stadium.

Real Madridi e shfrytëzoi këtë krizë të sjellë nga Covid-19 për t’i filluar renovimet në Santiago Bernabeu, ku do ta kenë të pamundur të kthehen para shtatorit ose tetorit dhe për këtë arsye do të duhet t’i zhvillojnë ndeshjet në stadiumit e kampit stërvitor.

“Los Blancos-ve” mund t’i lejohet t’i pranojë deri në 2000 tifozë gjatë ndeshjeve në Alfredo di Stefano, mirëpo klubi madrilen preferon të luajë prapa dyerve të mbyllura gjatë kësaj krize, për të shmangur çfarëdo rreziku. /Gazeta Express/