Reagon Qeveria: Respektojmë protestat paqësore

E publikuar: 04/04/2015 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas paralajmërimeve për protesta të opozitës ka reaguar Qeveria e Kosovës duke thënë se i respekton të drejtën e partive të protesta paqësore.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi ka deklaruar për Gazetën Express se derisa protestat të jenë paqësore i kontribuojnë zhvillimit të demokracisë në Kosovë.

“Qeveria e Republikës se Kosovës respekton te drejtën e shprehjes dhe të protestës, si te drejte te garantuar, sidoqoftë ne raport me paralajmërimet e opozitës, synimi parësor i Qeverise se Kosovës dhe programit tonë ka qenë dhe mbetet ndërtimi i një qeverisje të mirë, efektive dhe të përgjegjshme”, ka thënë Abrashi.

“Kosova ka nevojë për stabilitet dhe zhvillim, derisa protestat janë paqësore besoj që kontribojnë në kultivimin dhe zhvillimin e demokracisë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, sot, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA kanë paralajmëruar se më 18 prill do të protestojnë me akuzë për largimin e njerëzve që e kanë kapur shtetin.

Qeveria LDK-PDK e udhëhequr nga Isa Mustafa është përballur me dy raunde protestash ku ka pasur të lënduar policë e qytetarë.