Reagon Presidenti, distancohet nga sulmi që vëllai i tij bëri ndaj dy personave

E publikuar: 24/10/2018 18:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar pasi vëllai i tij Gani Thaçi ka sulmuar dy persona në Byronë Kosovare të Sigurimit. Ai është distancuar publikisht nga sulmi që bëri vëllai i tij.
Thaçi ka shkruar se të qenit familjar i tij, nuk i jep lirinë Gani Thaçit që të veproj kundërligjshëm.

“Jam njoftuar për përfshirjen e vëllait tim në një përleshje sporadike fizike. Asnjëherë nuk do ta arsyetoj asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky. Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin. Vetëm kështu ndërtojmë shtet ligjor, në të cilin të gjithë jemi të barabartë para ligjit dhe drejtësisë”, ka shkruar Presidenti në Facebook.

Gjatë mesditës, Gazeta Express ka raportuar për një sulm fizik që ka ndodhur në BKS, e që është shkaktuar nga vëllai i Presidentit Thaçi.

Gani Thaçi dyshohet ka rrahur drejtorin e BKS’së, Blerim Pushkolli, dhe drejtorin e kompanisë private të sigurimeve “Illyria”, sllovenin Gianni Sokolic.