Reagon familja e Kabashit i vrarë në Maqedoni: Nuk kemi asgjë zyrtare, s’kemi hapur të pame

E publikuar: 18/05/2015 11:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dje mediat, më saktë televizioni Klan Kosova ka raportuar se familja e Valon Kabashit nga Opterusha e Rahovecit, i përfolur si një nga të vrarit në incidentin e Kumanovës, ka hapur të pame për djalin e tyre, edhe pse ai nuk figuron në listën e të vrarëve.

Është e vërtetë që Valon Kabashi figuron në listën e 10 të vrarëve në Kumanovë, por listë kjo e publikuar vetëm nga mediat, pasi që institucionet e shtetit të Maqedonisë, ende nuk kanë zbuluar një listë zyrtare me këta emra.

Vëllai i Valonit, Arton Kabashi, pjesëtar i tri luftërave të fundit shqiptare, i asaj në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, thotë se ndihet i indinjuar me tendencën e medieve për të nxjerrë lajme sensacionale, nga zhvillime të ndjeshme në rend të parë për familjen, por edhe për vendin.

“Ne si familje informacionin e vetëm për Valonin e kemi marrë nga mediat, ku thuhet se ai është i vrarë, por informacion zyrtarë për këtë ende nuk kemi. Ne po mundohemi ta konfirmojmë nëse ajo që ka dalë në media është e vërtetë, por deri tani nuk e kemi arritur këtë. Të pame nuk kemi hapur, edhe pse shtëpia jonë është e mbushur çdo ditë me njerëz të afërm, të cilët po shprehin interesim nëse ajo që është publikuar në media është e vërtetë”, thotë vëllai i Valonit, Artoni.

 

“Në rend të parë lusim institucionet e shtetit të Kosovës, që të interesohen e të punojnë në zbardhjen e të vërtetës për atë që ka ndodhur atje, dhe për fatin e vëllezërve tanë, që t’i informojnë familjet e tyre dhe jo t’i lënë të përballen me lloj lloj informacionesh përmes të cilave luhet me ndjenjat e prindërve, vëllezërve e motrave dhe familjarëve të tjerë”, shkruan Artoni në reagim.