Reagime pozitive ndaj dialogut mes dy Koreve

E publikuar: 17/02/2018 08:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, përshëndeti atë që e quajti “klimë e ngrohtë e pajtimit dhe dialogut”, referuar vizitës së një delegacioni të Koresë së Veriut në ceremonitë e hapjes së Lojrave Olimpike Dimërore. Agjencia zyrtare koreane e lajmeve (KCNA) tha se Kim dha udhëzime për masat që synojnë një angazhim më të madh ndër-korean.

Në një takim të martën me Presidentin e Letonisë Raimonds Vejonis, që po vizitonte Korenë e Jugut, Presidenti Moon Jae In tha se Shtetet e Bashkuara e shohin dialogun ndër-korean nën një dritë pozitive dhe janë shprehur të hapur për bisedime me Phenianin.

Më parë, nënpresidenti amerikan Mike Pence i qëndroi mundësisë për bisedimeve pa kushte. Por megjithatë ai tha se nuk do të ketë lehtësim të presionit ekonomik dhe diplomatik derisa Pheniani të ndërmarrë një hap kuptimplotë drejt çnuklearizimit.

Harry Kazianis, drejtor i studimeve të mbrojtjes në Qendrën për Interesin Kombëtar, tha për Zërin e Amerikës se Koreja e Veriut e sheh pritjen e ngrohtë të Koresë së Jugut si triumf diplomatik dhe se sipas tij, ajo që është më e rëndësishme në këtë ngrohje të marrëdhënieve është ajo që vjen më pas.