Reagime për hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem

E publikuar: 15/05/2018 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mban sot (të martën) një takim urgjent për të diskutuar mbi situatën në Gazë, pas një dite me dhunën më vdekjeprurëse mes Izraelit dhe palestinezëve në 5 vitet e fundit.

Presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi dhunën në Gazë, ku ushtarët izraelitë vranë mbi 50 civilë palestinezë në përleshjet e zhvilluara në kufi.

Përmes një deklarate, zyra e zotit Macron tha se të martën ai ka në plan të flasë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Shumë vende aleate me Shtetet e Bashkuara, sikurse edhe vende jo miqësore, po shprehin kritika ndaj vendimit të Uashingtonit për hapjen e ambasadës amerikane të hënën në Jeruzalem, duke thënë se ky veprim ka për të rritur tensionet në Lindjen e Mesme.

Edhe kryeministrja britanike Theresa May nuk ishte dakord me hapjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, para se të arrihej një marrëveshje përfundimtare paqeje në Lindjen e Mesme.

Qeveria turke tha se do ta thërriste ambasadorin e vet në Shtetet e Bashkuara, “për konsultime” lidhur me veprimin e hapjes së ambasadës.