Reagime pas takimit mes udhëheqësve të Kinës dhe Koresë së Veriut

E publikuar: 28/03/2018 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Trump e ka përshëndetur takimin mes udhëheqësve të Kinës dhe Koresë së Veriut të zhvilluar ditët e fundit në Pekin, por shton se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë presionin maksimal ndaj regjimit koreano-verior. Vizita e udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un në Kinë është komentuar në mënyra të ndryshme nga fuqi rajonale, por shihet përgjithësisht si një sinjal pozitiv ndërkohë që regjimi i Phenianit përgatitet për takimin mes udhëheqësve të dy Koreve, si dhe takimin mes Presidentit Trump dhe Kim Jong Unit:

Vizita e parë e udhëheqësit koreano-verior jashtë vendit u njoftua dje nga Xinhua, agjencia shtetërore e lajmeve në Kinë. Ndërkaq televizioni kinez nxori pamje të takimit të dy udhëheqësve. Vizita zhvillohet ndërkohë që po bëhen përgatitje për takimin që kanë njoftuar se do të zhvillojnë udhëheqësi Kim Jong Un dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Kina është aleatja kryesore e regjimit koreano-verior, megjithëse relatat mes dy vendeve janë tensionuar gjatë kohëve të fundit si rezultat i rendjes së Pheanianit pas armëve bërthamore dhe mbështetjen që Kina ka dhënë për sanksione më të ashpra të OKB-së ndaj Koresë së Veriut.

Përmirësimi i marrëdhënieve do të ishte një sinjal pozitiv para takimeve të nivelit të lartë që pritet të zhvillohen mes udhëheqësve të dy Koreve dhe mes Presidentit Trump dhe Kim Jong Unit.

Presidenti Trump tha sot përmes një postimi në Twitter se kishte marrë një mesazh nga Presidenti Shi se takimi me Kim Jong Unin kishte shkuar shumë mirë dhe se udhëheqësi koreano-verior mirëpret takimin në të ardhmen me presidentin amerikan. Por zoti Trump shtonte në koment se deri në zhvillimin e takimit, për fat të keq, sanksionet dhe presioni maksimal ndaj regjimit koreano-verior duhet të vazhdojnë me çdo kusht.

Një zëdhënës i qeverisë koreano-jugore tha se takimi mes Presidentit të Kinës Shi Gjinping dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un do të ndihmojë për vendosjen e paqes në Gadishullin Korean. Këto komente pasojnë një njoftim të agjencisë zyrtare të lajmeve në Kinë, e cila citon Kim Jong Un të ketë thënë se është i vendosur të përmirësojë marrëdhëniet me Korenë e Jugut dhe i gatshëm të zhvillojë takimin me presidentin amerikan.

“Mendoj se përmirësimi i marrëdhënieve mes Phenianit dhe Pekinit para takimit ndër-korean dhe takimit të nivelit të lartë SHBA-Kore e Veriut do të ndihmojë për të zgjidhur problemin e Gadishullit Korean, si çmilitarizimi bërthamor dhe vendosja e paqes”.

Kryeministri japonez Shinzo Abe u shpreh më i rezervuar në komentet e tij lidhur me takimin:

“Nëse nuk shohim veprime konkrete nga Koreja e Veriut, nuk do ta heqim embargon. Po ashtu, ne do të punojmë në unitet të plotë me komunitetin ndërkombëtar”.

Nuk është e qartë se sa lëshime është i gatshëm të bëjë Kim Jong Un për të qetësuar Japoninë, Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara si dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar që kërkojnë ndalimin e provave bërthamore nga ana e Koresë së Veriut.

Në Phenian, ambicjet bërthamore të regjimit trumpetohen me të madhe:

“Nuk mendoj se udhëheqësi koreano-verior do të deklarojë zyrtarisht çmilitarizimin bërthamor pasi prej kohësh e thekson me të madhe rëndësinë e armëve bërthamore. Ai ka theksuar sidomos se programi bërthamor e bën vendin më të fortë dhe se vendi mund të mposhtë me të Shtetet e Bashkuara. Ai nuk mund ta ndryshojë plotësisht dhe përnjëherësh këtë qëndrim,” thotë një i arratisur nga Koreja e Veriut.

Vizita e udhëheqësit koreano-verior në Kinë do të shërbejë mbi të gjitha për të ulur shqetësimet e Kinës se po binte roli i Pekinit në raportet me regjimin e Phenianit, ndërkohë që bëhen përgatitje për takimin mes Presidentit Trump dhe Kim Jong Unit.