Reagime ndaj vendimit të Presidentit Trump për Jeruzalemin

E publikuar: 07/12/2017 21:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Bregun Perëndimor dhe në Gazë pati sot protesta në rrugë si dhe përleshje mes demonstruesve palestinezë dhe trupave izraelite. Përplasjet vijnë një ditë pas vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Në Ramallah të Bregut Perëndimor, ku ndodhet selia e qeverisë palestineze, grupe demonstruesish hodhën gurë ndaj forcave izraelite dhe u vunë zjarr gomave, duke krijuar shtëllunga tymi mbi qytet. Njoftohet për dhjetëra persona me lëndime të lehta.

Në qytetin biblik të Bethlehemit, vendlindja e Jezusit, trupat izraelite përdorën makinat e ujit dhe gazin lotsjellës ndaj protestuesve, ndërsa në Gazë, demonstruesit dogjën postera të presidentit Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu si dhe flamuj amerikanë dhe izraelitë.

Palestinezët mbyllën dyqane dhe shkolla në një grevë të përgjithshme, ndërsa udhëheqësi i grupit militant të Hamasit, Ismail Haniyeh, bëri thirrje në Gazë për një kryengritje të tretë palestineze kundër Izraelit.

Hassan Nasrallah, udhëheqëi i grupit militant libanez Hezbollah, tha se duhen ndërprerë të gjitha negociatat për paqen në Lindjen e Mesme, derisa Trump ta ndryshojë vendimin e tij për Jeruzalemin.

Nga frika e shkallëzimit të mëtejshëm të protestave, Izraeli ka shtuar forcat e sigurisë në Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe përgjatë kufirit me Gazën.

Vendimi i Trump-it për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izarelit, po ashtu ka nxitur zemërim në mbarë botën arabe dhe myslimane, si dhe i ka befasuar aleatët e Shteteve të Bashkuarea.

Në Jeruzalem ndodhet xhamia Al-Aqsa, vendi i tretë më i shenjtë për fenë islame dhe palestinezët e shohin Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Shumë vende të botës mendojnë prej një kohe të gjatë se statusi i qytetit duhet të vendoset nga negociatat e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, por zyrtarët palestinezë thanë se vendimi i zotit Trump i ka shkualifikuar Shtetet e Bashkuara si një ndërmjetës i paanshëm i bisedimeve të paqes.

Por, për Izraelin, kompleksi Al-Aqsa njihet si piedestali i Tempujve, ku ndodhen dy tempuj biblikë dhe vendi më i shenjtë për xhudaizmin.

Zoti Netanyahu tha se “Vendimi i Presidentit është një hap i rëndësishëm përpara drejt paqes, sepse nuk mund të ketë paqe përfshirë Jeruzalemin si kryeqyteti i shtetit të Izraelit.”

Qindra islamistë u mblodhën në qytete të mëdha të Pakistanit, për të dënuar vendimin e zotit Trump. Grupi ekstremist i al-Kaidës, al-Shabab, u kërkoi “të gjithë muslimanëve të grumbullojnë armë dhe të mbrojnë xhaminë al-Aksa”.

Kryeministri irakian Haider al-Abadi, një aleat i Shteteve të Bashkuara, tha se Trump duhet “ta tërheqë vendimin e tij, me qëllim që të ndalë një shkallëzim të rrezikshëm, që çon në ekstremizëm dhe krijon një atmosferë që ndihmon terrorizmin.”

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini, tha se vendimi i zotit Trump “mund të na kthejë mbrapsht në kohë më të errëta se sa ato që jemi duke jetuar tani.”

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel thanë se statusi i Jeruzalemit duhet të jetë pjesë e bisedimeve mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe e hodhën poshtë vendimin e zotit Trump. “Unë nuk jam dakord me vendimin e tij”, tha zoti Macron.

Laureati i Çmimit Nobel Desmond Tutu tha: “Zoti është duke qarë për veprim nxitës dhe diskriminues të Presidentit Donald Trump të njohjes së Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit.”

Por Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson i doli në mbrojtje këtij vendimi gjatë vizitës së tij në Vienë:

“Sikurse u shpreh Presidenti, njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, është një njohje e realitetit. Zyrat e Izraelit ndodhen kryesisht në Jeruzalem, prandaj Shtetet e Bashkuara thjesht janë duke e njohur këtë realitet. Mendoj se është e rëndësishme, që në kontekstin e këtyre komenteve, Presidenti tha po ashtu se Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjidhjen me dy shtete, në se kjo do të jetë dëshira e të dyja palëve. Ai tha gjithashtu se ky vendim nuk e finalizon statusin e Jeruzalemit. Kjo mbetet të diskutohet mkes të dy palëve”- tha sekretari Tillerson.