Rasti i Morena Tarakut, Prokuroria deklaron se nuk është mbyllur ende

E publikuar: 29/10/2019 14:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rasti për zhdoganimin e një veture ‘Bentley’ nuk është mbyllur nga prokuroria.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se kjo prokurori nuk e ka mbyllur rastin e këngëtares Morena Taraku, që ka pasur të bëjë me zhdoganimin e veturës së tipit “Bentley”, shkruan lajmi.net.

Në njoftim shkruan se nga prokurori i rastit është kërkuar që të lëshohet një vendim, i cili do ta identifikoj veturën si të re apo të përdorur në procedurën e zhdoganimit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, ndjehet e obliguar të sqarojë se, më 15.10.2019, kjo prokurori ka pranuar nga Njësia e Hetimeve të Doganës së Kosovës një Raport Njoftues, lidhur me zhdoganimin e veturës së markës “Bently”, si dhe është kërkuar nga kjo prokurori ta lëshoj një vendim, i cili do ta identifikoj veturën si të re apo të përdorur në procedurën e zhdoganimit të saj “- shkruan Prokuroria Themelore e Prishtinës.

“Prandaj, nuk qëndron ajo që është shkruar në media, se rasti është i mbyllur në Prokurori, për faktin se në të njëjtën ditë, më 15.10.2019, prokurori i çështjes, ka lëshuar autorizim për ndërmarrjen e veprimeve paraprake hetimore. Dokumenti në fjalë-autorizimi, është dokument zyrtar, i cili i është dhënë hetuesve doganor, në bazë të të cilit të njëjtit kanë qenë të obliguar të ndërmarrin veprime hetimore për të zbardhur të vërtetën që ka të bëjë me zhdoganimin e veturës së markës “Bently”, që është përmendur në Raportin Informues. Ky dokument në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të publikohet.”

Prokuroria bën me dije se informatat për rastin nuk janë siguruar nga sinjalizuesit.

“Sa i përket sinjalizuesve, Prokurori i Shtetit, respekton, mbron dhe zbaton Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, por në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me sinjalizuesit, siç është shkruar në media, për shkak se sinjalizuesi nuk gëzon mbrojtje juridike nëse ka ose mund të ketë dijeni se informacioni i shpalosur është i rremë. Andaj, informatat e publikuara në media, nuk përputhen me gjendjen faktike dhe juridike në rastin konkret ” njofton Prokuroria Themelore e Prishtinës.