Rashiq tregon skenarin se si Lista Serbe po tenton t’i fitojë 14 deputetë (Video)

E publikuar: 29/01/2021 22:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nenad Rashiq nga Partia Progresive e Serbëve në Kosovë gjatë intervistës për “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, në Telegrafi.com, ka hedhur dyshime se Lista Serbe po synon të marr 14 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Rashiq ka thënë se ka dëgjuar në mënyrë jozyrtare se Lista Serbe po tenton të ketë në Kuvend më shumë se 10 deputetë që u takojnë serbëve me Kushtetutë.

“Ka një tendencë apo plan që Liste Serbe pos 10 vendeve që pretendon se do t’i merr, kësaj radhe do të kujdesen edhe për boshnjakët, goranët, romës, ashkalinjtë dhe egjiptasit”.

Kryetari i Partisë Progresive të Serbëve në Kosovë ka thënë se Lista Serbe në Graqanicë ka përgatitur një iniciativë qytetare nga romët për zgjedhje.

“Unë e di saktë që është krijuar një iniciativë qytetarë në Graqanicë ne emër të romëve. Serbët janë njoftuar se ajo iniciativë duhet votuar dhe se do të krijohej përshtypja se romët po votojnë romët pasi janë disa romë në Graqanicë”.

Rashiq ka thënë se 14 deputetë do të ishin shumë më mirë se 10 për Listën Serbe dhe ndikimin që do të kishte në proceset pasuese.

Kujtojmë se për komunitetin serb janë të rezervuar 10 vende në Kuvend ndërsa 10 të tjera për komunitetet tjera.

Nga e kaluara  e dimë se për t’u zgjedhur deputet nga komuniteti serb nevojiten rreth 2,500-3,000 vota. Afërsisht numër i njëjtë nevojitet edhe për një deputet nga komuniteti boshnjak. Shumë më pak vota nevojiten për tu bërë deputet nga komuniteti romë, ashkali apo egjiptas.

Dyshimet janë që Lista Serbe pretendon të “trafikojë” votat e mbështetësve të saj në mbështetje të deputetëve të komuniteteve tjera që më pas do t’i përdorte në Kuvend./Telegrafi/