Rashiq: Joreale ideja e Thaçit për t’ia bashkuar Luginën Kosovës

E publikuar: 12/08/2018 09:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Politikani serb i Kosovës, Nenad Rashiq, e vlerëson si joreale idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që Lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën në procesin që ai e quan “korrigjim i kufirit” me Serbinë.

Rashiq, kryetar i Partisë Progresive Demokratike, ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online se Thaçi e përdor këtë çështje për politika ditore të tij.

“Nuk besoj që është reale, ndarja ose bashkëngjitja e Luginës së Preshevës nuk besoj që është reale, por besoj se Thaçi e përdor teknikën e vjetër të negocimit, ajo është që të prezantojë maksimumin duke u shprehur se do të arrihet niveli i mesëm i marrëveshjes, ku asnjë palë nuk duhet t’i humbë të gjitha ose asnjë palë mund t’i fitojë të gjitha”, është shprehur Rashiq.

“Prandaj, mendoj se presidenti Thaçi i përdor këto vetëm për politikë të brendshme, ditore sa i përket një pozicioni i cili ai mendon që mund të marrë, përndryshe nuk besoj që është reale një gjë e tillë që korrigjimi i kufijve siç thotë ai mund të ndodhë në atë formë”, ka shtuar ai.

Rashiq ka kërkuar që të kihet shumë kujdes kur flitet për korrigjim kufijsh, duke thënë se nëse kjo do të ndodhte do të nënkuptonte ndarje etnike, e cila sipas tij do të ndikonte në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Ai ka shtuar se nëse kjo realizohet do të nxiste edhe vendet tjera për të kërkuar ndarje apo bashkim me ndonjë vend tjetër.

“Një ndarje, një korrigjim i kufijve, një ndarje etnike siç pretendohet të bëhet nuk është e mirë dhe mos ta përdor këto prediksione negative ku pastaj të shihet një rrezik për sigurinë e Evropës dhe jam i sigurt se edhe Evropa e kupton që të ndodhë pastaj të hapet e ashtuquajtura ‘Kuti e Pandorës’ ku çdo vend mund të kërkojë ndonjë ndarje, bashkim, veprim të tillë”, vlerëson Rashiq.

Tutje, ai vlerëson se kjo do të ishte katastrofale dhe shumë e rëndë për serbët e jugut të Kosovës.

“E dyta, në aspektin e serbëve të Kosovës, kjo ndarje eventuale të cilën po përpiqet ta bëjë presidenti Thaçi, mund të jenë shumë probleme, një situatë e rëndë për serbët e jugut. Ne kishim dal as serbë të Beogradit, as serbë të Prishtinës sepse kemi një situatë ku serbët, kushtimisht serbët e jugut, kanë më shumë sfida me një politikë agresive të Beogradit, sikur që kanë sfidë me një politikë të neglizhencës të Prishtinës”, ka deklaruar Rashiq.

“Prandaj, nga aspekti i serbëve të jugut kjo do të kishte qenë një zgjidhje shumë e rëndë dhe ndoshta katastrofale, të cilën nuk e preferoj as unë e as 95% e bashkëqytetarëve të mi”, është shprehur ai.

Rashiq ka deklaruar se korrigjimi ose ndryshimi i kufijve në Ballkan çdo herë ka pasur epilog negativ ose epilog të konflikteve mes popujve, derisa ka kërkuar kujdes nga deklarimet e dy presidenteve sepse sipas tij mund të ketë pasoja afatgjate.

“Jam i sigurt që asnjë konflikt, në cilin do drejtim apo mënyrë nuk është mirë për popullin. Prandaj, këto që prezantohen prej presidentëve duhet të kemi shumë kujdes sepse pasojat mund të jenë shumë afatgjate për të gjithë ne. Prandaj, unë nuk jam kurrsesi për një ndarje etnike sepse kjo prodhon edhe më shumë probleme në të ardhmen”.

Ndërsa sa i përket paralajmërimeve për një autonomi eventuale të pjesës veriore, Rashiq vlerëson se këto janë vetëm lojëra fjalësh, pasi Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë.

“Prandaj, kjo është vetëm loja e fjalëve, çfarë do të thotë kjo, nuk do të thotë shumë sepse nuk kemi mekanizma. Po të kishin pas ndonjë mekanizëm brenda, për shembull Kushtetutës së Kosovës ndoshta kishte kuptuar që ka një formë speciale të statusit, por përndryshe në këtë formë, tash në Kushtetutën dhe poashtu në ligjet e Kosovës unë nuk e shoh një mundësi të tillë i cili mund të rezultojë me benefite të cilat ai territor mund të ketë”.

Në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Rashiq dyshon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i aftë për të gjetur një zgjidhje që u konvenon serbëve të Kosovës.

“Andaj, presidenti Vuçiq ka atë pozitë, por unë dyshoj që ai është në gjendje të shikojë thellësinë e problemit dhe të realizojë në mënyrën për të cilën ne serbët e Kosovës besojmë se është zgjidhje më e mirë siç thotë ai. Dyshoj që ka kapacitetin t’i kuptojë dhe pastaj t’i realizojë interesat e serbëve të Kosovës”, ka deklaruar Rashiq.