Raportuesi i Kosovës në PE: Pas Demarkacionit, liberalizimi i vizave afër

E publikuar: 22/03/2018 14:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raportuesi i posaçëm i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, pret që liberalizimi i vizave të ndodhë shumë shpejtë pas vendimit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Deutsche Welle: Zoti Sholtes, si e shihni vendimin e Paralementit të Kosovës për miratimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi?

Igor Sholtes: Ky ishte një moment i shumëpritur, sepse e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar shpesh që të marrëveshja të ratifikohet, që është një fakt shumë i rëndësishëm, të cilin e ka theksuar edhe zoti Juncker në strategjinë e tij për futjen e Ballkanit në BE. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në veçanti për qytetarët e Kosovës, sepse tani ata janë shumë afër liberalizimit të vizave dhe lirisë së lëvizjes, që është një prej postulateve elementare të BE. Në këtë mënyrë Kosova është kthyer në lojë dhe ka plotësuar një prej kushteve shumë të rëndësishme për liberalizimin e vizave.

DW: Ju thoni se është bërë një hap shumë i rëndësishëm dhe se Kosova është kthyer në lojë, por në Prishtinë mendojnë se topi tani është në gjysmëfushën e BE-së, pra që Brukseli duhet të bëj hapin tjetër. Më konkretisht, a do të bëhet liberalizimi i vizave këtë vit?

Sholtes: Nëse ekziston një interes i mjaftueshëm politik – e unë shpresoj se ekziston – duhet të kalojë edhe procedura teknike prej Parlamentit Evropian, Këshilllit të Evropës e deri tek i ashtuquajturi dialog institucional. Për të dhënë dritën e gjelbër duhet të ekzistojë shumica në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin Evropian.

DW: A ekziston kjo shumicë që Kosovës t’i jepet këtë vit drita e gjelbër për liberalizimin e vizave?

Sholtes: Nëse shikojmë deklaratat dhe komentet e dhëna në dy vitet e fundit, do të ishte shumë e habitshme nëse Kosovës nuk i jepet liberalizimi i vizave këtë vit. Komisioni, autoritetet evropiane dhe eurodeputetët kanë theksuar shumë herë se demarkacioni dhe vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë kushtet e fundit për liberalizimin e vizave. Demarkacioni ka ndodhur tani dhe do të ishte shumë e papritur në qoftë se këtë vit nuk ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën.

DW: Luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është kushti i fundit që duhet të plotësojë Kosova. Mendoni se institucionet e Kosovës janë të gatshme për plotësimin e këtij kushti, pasi që në Kosovë ka forca politike që thonë se vet institucionet atje janë të korruptuara dhe kriminalizuara?

Sholtes: Mendoj se Kosovën e pret një luftë e vështirë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por ky është një proces, i cili duhet të vazhdohet. Pritet që Kosova të vazhdojë këtë luftë dhe të bëjë reformat e duhura, për demokratizimin e shoqërisë. Kosova duhet të punojë shumë dhe të vazhdojë procesin për plotësimin e standardeve për demokratizim, pavarësinë e organeve juridike dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

DW: Zoti Sholtes, më thoni konkretisht: cilat do të jenë sugjerimet tuaja për Parlamentin Evropian – të hiqen vizat këtë vit apo jo?

Sholtes: Ekzistojnë edhe shumë hapa teknikë që duhen bërë, por tani kur është kryer demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, do të kërkohet drita jeshile në institucione – para se të dalim në seancën e Parlamentit Evropian ku duhet të votohet. Unë jam i sigurt se sinjalet do të shkojnë në drejtim të liberalizimit të vizave.

DW: Në BE ekzistojnë pesë vende të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sa do ta pengojë ky fakt liberalizimin e vizave?

Sholtes: Ky fakt nuk është injoruar as në dokumentet e mëparshme që janë miratuar për Kosovën. Këto vende me siguri që nuk do të jenë të entuziazmuara me liberalizimin e vizave për Kosovën. Por për liberalizimin e vizave në Parlament kërkohet shumica, ndërsa në Këshillin e Evropës e ashtuquajtura shumicë e kualifikuar.

DW: Liberalizimi i vizave është vetëm një hap i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane. Një kusht tjetër është normalizimi i raporteve me Serbinë. Çfarë prisni nga takimi i ardhshëm (nesër 23.03.2018) i presidentëve Thaçi dhe Vuçiq në Bruksel dhe a prisni që këtë vit të nënshkruhet një marrëveshje e obligueshme juridike për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë?

Sholtes: Këtu nuk mund të jap ndonjë prognozë të saktë për zhvillimet, sepse kjo varet nga shumë faktorë. Dialogu duhet të vazhdojë. Këtu kemi dy palë që kanë pritje dhe interesa të ndryshme, kemi edhe bashkësinë ndërkombëtare e cila ka pritjet e veta. Pengesa të caktuara në këtë rrugë mund të paraqesin edhe sistemet juridike në këto dy vende. Me rëndësi është që bashkësia ndërkombëtare, kur të formulojë propozimet e saj për zgjidhjen e çështjes, të ketë parasysh edhe rendet kushtetuese në këto vende.

DW: A duhet ta njohë Serbia Kosovën para anëtarësimit në BE apo jo?

Sholtes: Këto gjëra mund të zgjidhen përmes dialogut. Shpresoj se dialogu do të vazhdojë dhe do të shihet se në ç’drejtim do të shkojnë gjërat, sepse në fund duhet të kemi një marrëveshje./Express/