Raporti i OKB-së nuk përputhet me gjetjet izraelite për Iranin

E publikuar: 01/05/2018 22:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbikqyrjen bërthamore solli në vemendje të martën një raport të vitit 2015 të hartuar nga drejtorja e saj, ku thuhej se nuk ekzistonin “tregues të besueshëm” për ndonjë veprimtari të Iranit që të ketë lidhje me zhvillimin e armëve bërthamore pas vitit 2009.

Raporti i paraqitur nga shefja e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore Yukiya Amano, i jepte fund hetimit që zgjati mbi një dekadë rreth akuzave se Irani kishte punuar për zhvillimin e armëve bërthamore, të cilat Teherani vazhdimisht i ka mohuar.

Mbyllja e hetimit ishte pjesë e marrëveshjes që Irani arriti me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për të kufizuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Amano arrinte në përfundimin se Irani kishte kryer aktivitete për krijimin e një “pajisjeje shpërthyese bërthamore”, kryesisht para vitit 2003. Por këto aktivitete nuk dilnin nga suaza e kërkimeve shkencore.

Deklarata e Agjencisë vjen një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu paraqiti materiale që ai thotë se tregojnë që Irani ka fshehur punën për armët bërthamore.

Shtëpia e Bardhë e vlerësoi informacionin duke e quajtur “të ri dhe bindës”, ndonëse zyrtarët në Uashington nuk e kanë akuzuar Teheranin për shkelje të hapur të marrëveshjes së vitit 2015 me fuqitë botërore.

Zyrtarët amerikanë që po analizojnë dokumentet, tabelat, skemat, fotografitë dhe videot e zbuluara nga inteligjenca izraelite, thanë të hënën vonë se materialet ishin autentike dhe në përputhje me informacionin e grumbulluar nga SHBA gjatë shumë viteve.

“Ky informacion sjell hollësi të reja dhe mjaft me interes mbi përpjekjet e Iranit për të zhvilluar armë bërthamore që mund të hidhen me pajisje raketore”, tha në një deklaratë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Akuzat u ngritën fillimisht nga zoti Netanjahu gjatë një konference televizive të hënën. Ai tha se dokumentet dhe dosjet e tjera të shumta të zbuluara tregojnë se Irani ka gënjyer në mënyrë flagrante për programin e tij të armëve bërthamore.

Përgjigja fillestare ndaj pretendimeve të Netanjahut ishte e vakët. Disa ekspertë të zbulimit dhe diplomatë thanë se shumë nga provat që udhëheqësi izraelitë paraqiti gjatë konferencës datonin para se Irani të nënshkruante marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.