Raportet Kosovë-Serbi, Reka: Negociatat e shpejta, nuk mund të përmbyllin këtë histori

E publikuar: 01/05/2021 14:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka thënë se Kosova dhe Serbia në dy dekadat e fundit kanë pasë katër raunde negociuse, që sipas tij nuk sollën një traktat paqeje.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se negociatat e shpejta, pa qenë të drejta, nuk mund të përmbyllin këtë histori të armiqësisë njëshekullore.

Postimi i plotë i Rekës:

Paqja e papërfunduar: raundi i pestë.Në dy dekadat e fundit, 4 raundet negociuese: Kosovë – Serbi nuk sollën një traktat paqeje.

Rrjedhimisht, as adresimin e 4 çështjeve qenësore të çdo marrëveshje paqësore: përgjegjësinë për krimet e luftës, për të pagjeturit, për reparacionet e luftës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.

Në dy negociatat e para, mosnënshkrimi i marrëveshjes, nga Beogradi, solli intervenimin e NATO-s (Rambuje, 1999) dhe pavarësimin e Kosovës (Vjenë 2007). Dy të tjerat edhe pse të nënshkruara nga dy shtetet, nuk ndryshuan gjendjen. As marrëveshjet nga dialogu asimetrik i Brukselit (2011-2020), as dy nënshkrimet e ndara të zotimeve të Uashingtonit (2020) nuk shkrinë marrëdhëniet e ngrira ndër-shtetërore. Dy fqinjët mbeten formalisht, ende në luftë dhe pa njohje reciproke.

“Normalizimi”, si eufemizëm diplomatik, nuk e mbyllë luftën. Ajo shpërtheu, jo shkaku i “jo-normalitetit”, por shkaku i Aparthejdit serb mbi shqiptarët. Nuk ishte thjeshtë një revoltë kundër “abnormalitetit”, por një luftë anti-koloniale.

Historia e harruar, sjellë historinë e përsëritur. Sidomos, historia e injoruar.Negociatat e shpejta, pa qenë të drejta, nuk mund të përmbyllin këtë histori të armiqësisë njëshekullore. Sa do të arrijë tentativa e pestë e këtij dialogu, e paralajmëruar për qershor?