Ramushi – hero dhe viktimë

E publikuar: 21/07/2019 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, UNMIK-ut dhe EULEX-it, radha i erdhi Gjykatës Speciale. Ironia është se këtë radhë viktimat potenciale të Gjykatës janë themeluesit e saj. PDK, Partia që e kërkoi me insistim dhe e miratoi themelimin e kësaj Gjykate, ka në mesin e saj bash më të përfolurit si të rrezikuar nga krijesa e tyre.

Atëherë, çfarë e shtyu Hashim Thaçin në Gusht të 2015-ës të kërkonte themelimin e kësaj Gjykate? A ishte Hashim Thaçi një ndër të akuzuarit kryesorë të raportit të Dick Marty-t të vitit 2011?

A deklaroi atëherë se :”Nëse zoti Marty nuk sjell prova të forta për përfshirjen time atëherë e pret një akuzë e fortë penale?”

Eulex-i deklaroi se nuk ka gjetur dëshmi që mbështesin “shtëpinë e verdhë” dhe tregtinë e organeve, një ndër akuzat më të rënda të artikuluara ndaj Hashim Thaçit. Kur u njoh me këto përfundime të EULEX-it, Carla del Ponte, u shpreh :”Nuk është diçka sensacionale që hetuesit nuk kanë gjetur gjë, Kosova është fëmija e dashur e SHBA-ve”. Ndërsa kur Dick Marty, në një konferencë shtypi kur u pyet se “Ku janë dëshmitë që vërtetojnë akuzat tuaja” u përgjigj “Do t’i gjejmë ato”.

Hashim Thaçi nuk e përmendi ndonjëherë tjetër akuzën penale ndaj Zotit Marty. Përkundrazi, 4 vjet më vonë, me iniciativë të tij themeloi Gjykatën Speciale që do i hetojë e gjykojë pikërisht akuzat e Marty-t. Çfarë kishte ndodhur ndërkohë që zoti Thaçi u bë kaq bashkëpunues dhe i harroi akuzat penale ndaj tij?!

Mendoj që përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta gjejmë në tekstin e mësipërm të Carla Del Pontes. Ajo e akuzon EULEX-in të paaftë për të gjetur prova ndaj Hashim Thaçit pasi ky i fundit ishte i përkëdheluri i Amerikës. Këtu gjen shpjegimin edhe vullneti politik i Thaçit për ta pranuar Gjykatën Speciale.

Në drejtësi njihen “dëshmitarët e mbrojtur”. Ata që bashkëpunojnë me Drejtësinë për dënimin e kolegëve ose anëtarëve të grupit në shkëmbim të favoreve personale.

******************

Ramush Haradinaj, për herë të parë m’u duk si njëri prej nesh. Kishte emocione, lot, dramë pse jo edhe frikë. Zëri që i dridhej dhe mospranimi i lotëve kur dikush ia përmendi, veç ia shtuan njerzillëkun. Ai deklaroi që Gjykata Speciale e ngritur me vullnetin e Parlamentit të Kosovës e ka kërkuar për ta pyetur. Sigurisht, Ramushi mund të shkonte edhe si Kryeministër në Hagë, ku është selia e Gjykatës. Por, siç shpjegoi ai, paraqitja si Kryeministër dhe njëkohësisht si i dyshuar për krime lufte i bën dëm Kosovës.

Kishte të drejtë. Një Kryeministër i dyshuar nuk i bën nder vendit të tij.

Ramush Haradinaj nuk ishte Kryeministër i mirë. Duke qenë një Kryeministër i pafuqishëm që buron nga numri i vogël i deputetëve në Parlament, ai i shfaqi botërisht dobësitë e veta. Së pari u detyrua të hiqte dorë nga pretendimi i njohur i tij për 8,000 hektarët në vijën ndarëse të kufirit me Malin e ZI. Ramushi ishte flamurtari i moslejimit të kësaj “shitjeje” atdheu dhe u detyrua ta mbronte në Parlament bash të kundërtën. Skena patetike ku ai i hidhte hartat Murat Mehja-s në komision parlamentar i përkisnin të shkuarës. Ramushi nuk njihej më. Një ditë të bukur Hashim Thaçi në mënyrë spektakolare arreston 6 mësues turq të akuzuar si mbështetës të Gulen-it dhe ia çon pako postale mikut të tij autoritar Erdogan. Kryeministri, për turpin e tij, deklaron: “Nuk kam ditur gjë për operacionin”.

Erdogani e quajti “pijanec”!

90 zënvendës ministrat e Kosovës e kthyen qesharake qeverinë e zotit Haradinaj. Përfoljet për korrupsion dhe izolimi ndërkombëtar ishin pika të tjera të dobëta. Ramushi ishte tejet i kujdesshëm në etiketimet dhe polemikat me Presidentin dhe anëtarë të tjerë të koalicionit dhe dukej si vasal i tyre.

Përkundrazi, Presidenti shfaqej arrogant dhe shpërfillës.

Mirëpo Ramushi në planin ndërkombëtar arriti të bëhej faktor i rëndësishëm. Siç duket në anën e gabuar. Një lobim serb që e pengoi Kosovën për tu futur në INTERPOL përkundër pranimit të Kiribatit dhe Vanuatu( dy shtete që nuk e dija që ekzistonin) ngriti një stuhi polemikash në Kosovë. Propozimi i Kadri Veselit dhe Enver Hoxhaj-t për një taksë të re ndaj produkteve serbe në Kosovë gjeti përkrahjen e pakompromis të zotit Haradinaj. Në kulmin e negociatave Serbi-Kosovë të kryesuara nga Hashim Thaçi dhe Vuçiç, taksa 100% për produktet serbe ishte një goditje e fortë.

Hashim Thaçi po eklipsohej politikisht. Teoria e tij e shkëmbimit të territoreve në shkëmbim të një marreveshjeje përfundimtare me Serbinë sapo mori një goditje të fortë.

Këtu është edhe pika e kthesës. Ramushi i gjetur papritur në qendër të ciklonit politik të drejtuar nga Thaçi në aleancë të plotë me Vuçiç, Mogherini dhe Edi Rama, befas i pëlqen pozita e protagonistit…

Por siç thotë ajo fjala, i kishte bërë hesapet pa hanxhinë…

Hakmarrja është një gjellë që shërbehet e ftohtë. Kryeministri i Shqipërisë zgjodhi të ishte në Marmaris, në kështjellën verore të sulltanit Erdogan kur doli lajmi i dorëheqjes. Me gjasë porositi një masazh të gjatë pas lajmit… Ndërsa zoti Thaçi me një postim fyes në rrjetet sociale deklaroi “mbështetjen” për Bislim Zyrapin por edhe për një luftëtar tjetër, njëfarë Ramushi…

Ambasadori i SHBA-së dhe ai i BE-së akoma nuk e kanë komentuar lajmin…

Asnjë përpjekje për ta fshehur kënaqësinë.