Ramush Haradinaj: Vuçiqi nuk e ka vetëm për taksën

E publikuar: 03/10/2019 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh edhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj thotë se para ardhjes së tij në pushtet, Policia e Kosovës ka qenë pa përkrahje, pa buxhet dhe pa orë të kompensuara.

Për çka pohoi se për shumë pak kohë u ka dhënë mbështetje dhe fuqizim.

Ai para përkrahësve të tij në Prishtinë, ku paraqit me plis të bardhë, tha se sot po bashkohen në Prishtinë për familjen evropiane dhe euroatlantike.

“Nëse duam një Kosovë që është shtëpia jonë, por që është e sigurt, që e ka pragun e sigurt atëherë pra votojmë për koalicionin AAK-PSD. Pse? Ky koalicion si ka ditur që të bëjë ushtrinë, din me ec përpara edhe me fuqizu Kosovën, me qenë e aftë për mbrojtje, me mbrojt vetën. Sepse kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës më të re, por është edhe ushtria më moderne në rajon. Nëse duam me qenë në planin e sigurimit, ashtu siç duhet dhe në rend e ligj, atëherë dua të ju tregoj, që vetëm gjatë kohës sa shkoj e kemi forcuar Policinë e Kosovës. Policia e Kosovës është më e forta në rajon, ju siguroj se PK është më e mira në rajon”, tha Haradinaj.

Haradinaj në këtë tubim elektoral ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk e ka problemin me të, vetëm për shkak të taksës së vendosur në fillim të vitit.

Haradinaj: Vuçiqi nuk e ka vetëm për taksë Video “Vuçiqi nuk e ka vetëm për taksë, që po thotë se nëse fiton Haradinaj prapë, e patë puna. Ai ka përcjellë veprimet një nga një. Ai e ka parë që ne jo vetëm që kemi forcuar sigurinë tonë, pra aftësinë që të jemi të sigurt dhe që të mbrohemi, e kemi forcuar edhe shtetin ligjor dhe e kemi forcuar ligjin. Ligji zbatohet në veri, jo më të dërgohen doganierët me helikopterë, por shkojnë për tokë ashtu siç duhet”, deklaroi Haradinaj.

E, kreu i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti tha se si koalicion kanë pesë zotime qeverisëse gjatë mandatit të tyre.

“Ne sot para jush kemi pesë zotime. Zotimi i parë është në katër vitet e ardhshme koalicioni PSD-AAK garanton 100 për qind territorin e Kosovës. Nuk ka Kosova as tokë për të dhënë, e as pushtet me nivele të treta qeverisëseje, apo krijesa të tjera. Numri 119, e garanton se asnjë metër të territorit tonë nuk do të japim. Zotimi ynë i dytë është 100 për qind zhvillim ekonomik, ne jemi zotuar se do të krijojmë Fondin Zhvillimor me paratë e Kosovës, me pasuritë e Kosovës, të cilat do t’i shfrytëzojmë për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme edhe për të zëvendësuar importet edhe për të rritur eksportet. Rritja ekonomike deri në fund të mandatit do të mbërrijë tetë për qind”, u shpreh Ahmeti.

Krahas kësaj, ai tha se zotohen edhe për 100 për qind siguri sociale, sigurime shëndetësore dhe për taksë 100 për qind deri në njohje.