Ramiz Kelmendi i përgjigjet Avdullah Hotit: Nuk e votoj Demarkacionin

E publikuar: 20/03/2018 12:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ramiz Kelmendi nuk ka ndryshuar qëndrim për Demarkacionin me Malin e Zi. Thotë se vota e tij nuk do të jetë për këtë marrëveshje. Ky reagim i deputetit të LDK-së vjen pasi shefi i grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti tha sot për Express se sikurse të gjithë deputetët e LDK-së edhe Ramiz Kelmendi do ta japë votën pro marrëveshjes.
“Nuk do ta votoj, përderisa njerëzit që e kanë kërcënu familjen tem të kërkojnë falje dhe ta largojnë nocionin ‘tradhti”, kështu tha për Gazetën Express, deputeti nga radhët e LDK’së Ramiz Kelmendi, i cili mbrëmë në emisionin ‘DPT Te Fidani”, u shpreh se nuk do të jetë në seancën e sotme e as nuk do ta votojë atë.

Ky zyrtar i partisë së Mustafës thotë se brengoset për jetën e familjes së tij dhe kërcënimeve që po u bëhen në adresë të tyre nëse ai, e voton marrëveshjen.
Kelmendi pranon se është në kontakt me Avdullah Hotin.

Thotë se nuk dëshiron që të jetë pengesë vota e tij. I gjithë problemi sipas Kelmendit është vetëm kërcënimi që po i bëhet familjes së tij.

“Unë jam ne kontakt me z. Hoti dhe i kom tregu z Hoti që vota jem nuk është pengesë që s’po du me votu, por çështja është kërcënimi qe i është bo familjes tem”, u shpreh deputeti Kelmendi.

Me herët për Express, zyrtari i lartë i partisë së Isa Mustafës, Avdullah Hoti tha për Gazetën Express se të gjithë deputetët e LDK’së e mbështesin këtë marrëveshje, përfshirë edhe Ramiz Kelmendin.

Ky qëndrim, siç sqaron Hoti, ka kohë që është marrë në LDK dhe në Grup Parlamentar ku ka qenë pjesë edhe Ramiz Kelmendi.

Seanca për demarkacionin me Malin e Zi pritet që të marrë sot epilog, nëse janë siguruar votat e mjaftueshme për marrëveshjen. Për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duhen 2/3 e votave./D.K/GazetaExpress/