Ramadani: Thaçin mund ta lirojë vetëm politika (Video)

E publikuar: 04/10/2016 00:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arrestimi i drejtorit të policisë rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi nga autoritetet serbe nën dyshimin për terrorizëm, për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, është krejtësisht politik dhe vetëm politika mund ta lirojë atë nga paraburgimi.

“Pastër dhe qartë duhet ta themi se ky është një vendim politik i qeverisë së Serbisë për të ndalur dhe të arrestuar një zyrtar të lartë të shtetit të Kosovës, me një aktakuzë krejtësisht politike”, ka deklaruar Ramadani në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel.

Ai ka thënë se fatkeqësisht nuk kemi pa ndonjë veprim të koordinuar dhe të fuqishëm të institucioneve të Kosovës, përkitazi me këtë arrestim.

“Veprimi i vetëm faktikisht të cilin institucionet e vendit duhet të ndërmarrin ka të bëjë me raporton që ka me Brukselin, respektivisht me procesin e bisedimeve në Bruksel. Kjo çështje e lirimit të Nehat Thaçit, duhet të jetë tema kryesore, çështja e vetme e tashme në të cilën Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë mund të flasin mes veti”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të duhet të diskutonin për asnjë temë me Beogradin pa u liruar zyrtari i Kosovës./Tribuna/