Ramadani: Sa do që të testojmë, nuk mjafton

E publikuar: 27/07/2020 23:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i IKSHPK’së, Naser Ramadani, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se kushdo që ka pasur simptoma klinike të virusit Covid-19, është testuar nga Instituti që ai drejton. Ramadani thotë se qytetarët kanë pasur informacione të gabuara nga njerëz të gabuar që u kanë thënë në muajin maj për përfundimin e epidemisë.

“Ka pasur njerëz në emisione që kanë thënë virusi shkoi., kjo është kthesa e madhe historike. Këtë do ta mësojmë, prej gabimeve që kemi menduar se shkoi virusi, e deri tek lënia në duar që dhënien e informatës t’iu lihet profesionistëve. Epidemiologët janë ata që kanë profesionalizmin dhe mund ta dhënë informatën më mirë se kushdo tjetër. Çështjen e menaxhimit tua lëmë vetëm epidemiologëve”, ka thënë ai.

“Faktet flasin ndrysh”, shton Ramadani.

Ai thotë se mundësitë për testime kanë qenë të kufizuara, ndërsa thotë se kemi përqindjen më të ulët të vdekshmërisë nga shtetet me standarde të njëjta.

“Sa të doni të testoni, nuk mjafton. Një delegacion të OBSH e kam pyetur sa është normativi për testim? Nuk ka pasur përgjigje. Më besoni. Kemi testime mbi mesataren e vendeve në zhvillim”, thotë ai.

Ndërsa për akuzat që IKSHPK nuk u ka bërë teste të gjithë personave që kanë kërkuar, Ramadani është përgjigjur në këtë mënyrë.

“Ka pasur dy lloje të njerëzve. Ata që kanë pasur simptoma, dhe ata që kanë dashur të bëjnë testin për të shkuar në det. Po ju them që kur OBSH ka thënë: test, test, test, nuk e ka pasur kuptimin që të testojmë të gjithë. Por vetëm aq sa është e mundur me normativ. Edhe po të bënim 2 milionë testime në ditë. Themi i bëjmë 1.999.999 testime. Atëherë një person ndjehet i diskriminuar”, shton Ramadani.