Ramadani: FSK-ja është multi-etnike, s’përmend bombën te pjesëtari boshnjak

E publikuar: 28/10/2018 22:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, ka shprehur edhe njëherë bindjen se asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, përfshirë këtu FSK-në, nuk janë kërcënim.

“Përkundrazi, ato janë multi-etnike, profesionale, kredibile dhe me diversitet më të madh etnik se popullata të cilës i shërbejnë”, ka shkruar Ramadani.

Megjithatë, numri dy i Ministrisë që ka përsipër ta përcjell FSK-në drejt Forcës së Armatosur, nuk e ka përmendur fare sulmin e një nate më parë që iu bë një pjesëtari boshnjak të FSK-së, në veri të Kosovës. Policia deaktivizoi bombë në oborrin e tij.

Lexo edhe: Kërcënimet për veriorët e FSK-së s’ka kush i ndal, bombë në oborrin e një shtëpie në veri

Sidoqoftë, Ramadani është marrë me tranzicionin në të cilin ka hyrë FSK-ja.

Ka thënë se këto institucione janë të trajnuara në standardet më të larta demokratike.

“Rajoni do të përfitojë nga tranzicioni i FSK-së. Kosova kontribuon aktivisht në sigurinë rajonale dhe do ta rrisë kontributin”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, “Rusia po përdorë propagandë krejtësisht mashtruese kundër Kosovës, ndërsa Serbisë po i merr qindra miliona euro nga buxheti duke i shitur armatim përmes aferave të mëdha të korrupsionit”.