Rama: Viti i Ri nis me rritje pagash e pensionesh

E publikuar: 14/12/2016 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Edi Rama njoftoi në një konferencë për shtyp se në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë një rritje pagash e pensionesh.

“Viti i Ri do të nisë me rritje pagash e pensionesh. Kjo rritje do të fillojë që nga 1 marsi”, deklaroi kreu i qeverisë, i cili shtoi se me rastin e festave të fundvitit, çdo pensionist do të marrë 6 000 lekë.

“60 mijë lekë të vjetra çdo pensionisti për fundvit, që është shifra më e lartë e dhënë për ta dhe gati e barabartë me shifrën e rritjes së pensionit vitin e ardhshëm. Kjo nuk është pak, por as edhe aq shumë sa të jemi të kënaqur”, deklaroi Rama.

Gjithashtu, kryeministri bëri me dije se do të dëmshpërblehen plotësisht familjet e përmbytura dhe fermerët që kanë humbur bagëtinë e tyre.

“Për familjet e përmbytura në vite do të bëhet dëmpshpërblimi i plotë. Shuma do të jetë nga 6.8 milionë lekë të vjetra për familje e deri në 110 milionë lekë, sipas përllogaritjes së dëmeve.

Për fermerët do të vëmë në dispozicion një fond prej 3 milionë dollarësh dhe do të kompensojmë çdo lopë të humbur nga epidemia”, u shpreh Rama. /Telegrafi/