Rama thyen rekordin e të kënduarit … të folurit direkt: 3 orë e 48 minuta!

E publikuar: 17/10/2017 09:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Rama ka shënuar ditën e shtunë një rekord për kohën që ka kaluar duke i folur dhe këshilluar popullin etij.

Gjatë një vizite në Vlorë, ditën e shtunë ai foli 3 orë e 48 minuta në transmetim të drejtpërdrejtë në faqen e tij në Facebook dhe në disa kanale televizione. Në mbrëmjen e të premtes ai kishte zhvilluar një tjetër bisede të gjatë më popullin për rreth 70 minuta, duke e çuar totalin e të folurit drejtpërdrejt në 4 orë e 45 minuta në më pak se 24 orë.

Të premten, Kryeministri zhvilloi një takim, të cilin ai e quajti “konsultim publik” për projektbuxhetin e vitit 2018 (konsultim mbi informacion gojor, pasi nuk pati as projekt buxhet, as ndonjë dokument të shkruar mbi të). Në takim Kryeministri Rama foli për rreth 1 orë e 10 minuta, i transmetuar drejtpërdrejti nga disa televizione.

Të shtunën, duke filluar nga ora 9:05, Kryeministri mbajti një fjalim programatik para ministrave, zëvendësministrave dhe drejtuesve të zyrave lokale në varësi të qeverisë. Ai u foli atyre, pa asnjë ndërprerje, për më shumë se 1 orë e 5 minuta, duke shpjeguar, dhënë këshilla, porosi dhe urdhra për çdo temë të mundshme nga shëndetësia, rendi publik, zhvillimi urban tek problemet lokale të Vlotës.

Pak minuta pas këtij takimi, Kryeministri nisi një tjetër takim me mësues dhe prindër me qëllim, atë që ai e quajti, “bashkëqeverisje me prindërit.” Kryeministri sqaroi prindërit dhe mësuesit për rreth 50 minuta pa ndërprerje.

Rreth orës 12:50, Kryeministri bujti në shtëpi dhe bashkëbisedoi me një familje në fshatin Kaninë pranë Vlorës. Me kaninasit, Kryeministri foli për rreth 38 minuta, i transmetuar drejtpërdrejti në faqen e tij në Facebook dhe në disa kanale televizive.

Në orën 5 mbasdite, Kryeministri zhvilloi një takim me drejtuesit lokalë të qarkut të Vlorës. Në takim, ai foli pa ndërprerje për 1 orë e 2 minuta.

Në total, për më pak se 24 orë, Kryeministri i foli drejtpërdrejt popullit të tij për 285 minuta, ose 4 orë e treçerek./exit