Rama: Tërmet në drejtësi (Video)

E publikuar: 30/12/2015 17:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëse ka një reformë që kryeministri Edi Rama e konsideron më tepër se jetike për shqiptarët, ajo është në sistemin e drejtësisë. Në konferencën për shtyp të fundvitit, kreu i qeverisë tha se, detyrimisht kjo reformë duhet të shkaktoj tërmet.

“Reforma në drejtësi prek shumë interesa dhe që nga ana tjetër domosdoshmërish duhet të prodhojë tërmet, në të gjithë themelet e sistemit aktual të drejtësisë. Nëse nuk e prodhon nuk është kryefjala e duhur. Përgjigja është ky proces sjell tërmetin dhe e tund gjithë sistemin, për mua kjo është baza, të tjerat janë çështje teknike që jam i paditur.”

Kryeministri tha se në fund të ditës do arrihet miratimi i kësaj reforme. Edhe pse, theksoi se ka përpjekje për të prishur balancat e mazhorancës në dëm të reformës.

“Jam i bindur se asnjë diversion, asnjë përpjekje për të carë shumicën në këtë proces, nuk do të ketë sukses. E them sepse ka shumë përpjekje në këtë drejtim, nuk do kenë sukses.”

Reformat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe ndikimet janë të pashmangshme. Para mediave, kryeministri foli se viti 2016, do të rezervojë rritje ekonomike.

“Kemi realizuar objektivin për të vazhduar rritjen e qëndrueshme dhe jemi besimplotë se viti i ardhshëm, do jetë viti i një kapërcimi përtej 3% të rritjes ekonomike.”

Vitin e ardhshëm, Rama premtoi se për shqiptarët do nisë të zbatohet premtimi elektoral për shëndetësi falas.

“Vitin e ardhshëm, nis shërbimi shëndetësor falas tek mjeku i familjes. Asnjë tarifë dhe pagesë.”

Një lajm të mirë shefi i ekzekutivit u dha kamionistëve, që udhëtojnë drejt Italisë.

“Më në fund qeveria italiane ka kaluar një vendim që tanimë është depozituar në parlamentin italian për heqjen e kësaj takse, barrë 500 euro për çdo kamion që hyn e del në Itali nga Shqipëria.”

Ashtu si më parë, kryeministri Rama deklaroi se, nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj përcaktimit të kufirit detar me Greqinë fqinje.

“Ne jemi këtu për të qeverisur punët e vendit tonë dhe mbrojtur interesat e vendit tonë. Opsionet janë në tavolinë dhe jemi gati t’ia besojmë një pale të tretë të pavarur.”

Marrëdhënien e komplikuar që ka me median, Rama e risolli duke folur sërish për këneta mediatike. Por në fund, pranoi se ligjëratat e tij janë të tejzgjatura dhe të lodhshme për veshët e gazetarëve.

“Kërkoj ndjesë për çdo rast dhe kur ju thoni me vetë, si nuk shpëtova nga ky akoma, por nuk premtoj se do ndryshoj.”