Rama: Të korruptuarit në drejtësi morën një mesazh të qartë

E publikuar: 30/08/2016 22:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“I bie që sot kasta e të korruptuarve dhe të inkriminuarve në drejtësi ka marrë mesazhin e qartë, sikundër shqiptarët kanë marrë një tjetër konfirmim të vullnetit të patundur të kësaj shumice për t’i dhënë këtij vendi drejtësinë e munguar e të mohuar për kaq shumë vite dhe për t’i dhënë fund një historie të turpshme që ka njollosur keq shqipërinë dhe ka demoralizuar qytetarët për vite të tëra: drejtësisë që shitet e blihet si mall”.

Me këto fjalë kryeministri Edi Rama ka komentuar miratimin e ligjit të vetting-ut me votat e mazhorancës qeverisëse, ligj që sipas tij përbën thelbin e reformës në drejtësi.

“Ne sot kemi miratuar ligjin bazë në morinë e tërë ligjeve që do të miratohen hap pas hapi deri në miratimin e reformës në drejtësi, sepse nuk mund të kemi sukses nëse që nga ngrehina që shembëm kushtetuteshmërisht me ndryshimet kushtetuese do të transferojmë të gjithë në pallatin e ri të drejtësisë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, “kjo do të ishte dështim”, “ndërkohë që ata që do të transferohen në godinën e re kushtetuese janë ata që do të kalojnë procesin e skanimit, në bazë të kritereve që parashihen në këtë ligj: kapacitetet, integriteti personal dhe pasuria e tyre”, ka saktësuar Rama.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave për bojkotin e opozitës, kreu i qeverisë ka thënë: “Unë nuk e di nëse ka mbetur në këtë vend dikush që mund ende të besojë në shprehjet e vullnetit të kësaj opozite për të mbrojtur Kushtetutën e të drejtat e njeriut dhe që ka njeri që beson se kjo është një opozitë që do të reformojë drejtësinë”.

“Kjo shumicë, e cila i kishte votat, e priti opozitën deri në fund, pranoi të negocionte e modifikonte me të çka ishte e modifikueshme pa shkelur vijat e kuqe, deri në fund kemi qenë të gatshëm për të bërë çdo gjë për ta bërë bashkë. Por opozita ka bërë atë që di të bëjë gjithmonë, të bëjë sikur do por që nuk do”, ka shtuar Rama.

/ Top Channel