Rama: Shkurtim drastik të dokumenteve dhe shpenzimeve

E publikuar: 21/01/2018 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë një dëgjese të zhvilluar me qytetarë të Rrëshenit lidhur me platformën e bashkëqeverisjes, kryeministri i vendit, z. Edi Rama bëri me dije se do të ketë një reduktim drastik të dokumenteve që shteti kërkon ndaj qytetarit dhe biznesit.

Rama theksoi se shumë shpejt do të bëhen publike konkluzionet e procesit për shkurtimin në masë të dokumenteve. “Shpëtimi nga tmerri i zyrave ka të bëjë edhe me uljen e nevojës për të shkuar në zyra. Sa më shumë dokumente të kërkojë shteti, aq më shumë herë do shkosh te kasapi. Ne kemi bërë një proces, së shpejti do japim edhe konkluzionet e procesit, për reduktimin drastik të tyre. 66% të dokumenteve që kërkonte Ministria e Arsimit për procesin mësimor do shkurtohen.

Kështu do shkurtohen në të gjithë linjën horizontale të qeverisjes për biznesin, për qytetarët, si dokumente për marrjen e paaftësisë ose aftësisë së kufizuar, dokumente për të gjitha proceset. Shkurtimi i dokumenteve, shkurtimi i licencave, shkurtimi i autorizimeve bën që të shkurtohen ndërveprimet dhe nevoja për të shkuar në zyra, bën që të ulet numri i kontakteve me zyrat, të ulet sigurisht edhe masa e parave që duhen paguar mbi dhe nën dorë për këto dokumente. Kjo është njëra anë dhe këtë po e bëjmë me intensitet.”

Kryeministri ritheksoi rëndësinë dhe impaktin që pati ofrimin online i certifikatave, të cilat ishin vetëm fillimi i një procesi që po zgjerohet dhe po sjell herë pas here të tjera dokumente dixhitale me vlerë ligjore për qytetarin.

“Certifikata që ishte shembulli i parë që sot shoqërohet dhe nga shembuj të tjerë të dokumenteve që janë të nevojshme të kalojnë online. Me kalimin online, do të shkojmë pak nga pak duke garantuar që shteti të mos thotë ‘sillni edhe këto 3-4 dokumente nga këto 3-4 zyra të tjera shteti’, por shteti t’i marrë vetë këto dokumente për ty. Kur ti ke nevojë për një shërbim me 5 dokumente, të pesta dokumentet t’i sigurojë zyra ku ti merr shërbimin,” u shpreh ai.

Duke rikujtuar edhe njëherë kalimin e barrës së mbledhjes së aktualisht 29 dokumenteve nga qytetari te punonjësi i administratë publike, Kryeministri theksoi se dokumentet që gjenden brenda shtetit, duhet të vazhdojnë të mos i kërkohen më qytetarit.

Gjatë muajve të fundit shërbimet që lidhen me certifikatat rezultojnë në shërbimet më të përdorura nga qytetarët dhe punonjësit e administratës publike. E gjithë procedura lehtësuese ka çuar në shtim të interesit publik, që përkthehet në përdorim masiv të shërbimeve të portalit qeveritar e-Albania.