Rama: Republika e Re, pa gra e vajza

E publikuar: 30/05/2017 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edi Rama ironizoi rivalin e tij politik për gjobën që KQZ i ka vendosur PD-së sepse nuk ka respektuar barazinë gjinore.

“Partia Demokratike, e cila kërkon votën në emër të Republikës së Re, ka paguar gjobë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mungesë grash e vajzash në listat e shumë qarqeve. Mos e votoni Partinë Demokratike”, tha Rama.

Ironitë, Rama nuk i kurseu as për Lulzim Bashën, i cili njësoj si ai, vijon fushatën elektorale: “Pyetini në Tiranë. 4 vjet e mbajti Tirana në kurriz, 4 metra nga zyra e kishte sahatin e Tiranës. Ora kishte ngelur. Nuk e di sa kishte ngelur, por ora e Lulit kishte ngelur 12”.

Ndërsa bëri një përmbledhje të reformave të ndërmarra në 4 vite, Rama cilësoi si sukses reformën në drejtësi dhe vettingun, të cilat do të përkthehen në rritje të ekonomisë dhe punësimit.

“Çelësi është drejtësia dhe arsimi. Siç luftuam e fituam për reformën në drejtësi e vettingun, do të luftojmë e do të fitojmë 4 vitet e ardhshme për ta rritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më përpara”, deklaroi Rama.

Edi Rama kërkoi votën e grave dhe vajzave të Burrelit për të vijuar në rrugën e reformave: “Jemi të vetmit që japim provën se dimë të bëjmë shtet dhe që ky vend mund të bëhet. Do të vazhdojmë të ndërtojmë shtëpinë tonë të përbashkët apo do të kthehemi prapë mbrapa tek prishja e themeleve”.

Për kreun e socialistëve zgjedhja më 25 qershor do të jetë e thjeshtë: “Duke zgjedh PS, do të zgjidhni njerëzit që i duhen punës, ndërsa duke zgjedh PD do zgjidhni punën për ca njerëz. Duam një mandat shumë të fortë që ta mbajmë ne timonin, që mos të vazhdojmë historinë me forca të tjera në prehër që të luajnë timonin rrugës. Zgjidhni ose një parti në qeveri që do ju shërbejë ose pastaj zgjidhni një fanelë dhe shihni Lulin duke dribluar në vend”.

/ Top Channel