Rama për ndeshjen: Një sfidë për historinë, të fitojë tradita

E publikuar: 06/10/2015 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi, ku emocionet ndihen më të forta, kreu i qeverisë, Edi Rama, kujton të gjithë tifozët se sjellja e tyre është imazhi i Shqipërisë.

Duke i bërë ftesë sportdashësve që të ndjekin ndeshjen e 8 tetorit në ekranin e madh në Kryeministri, Rama i paralajmëron.

Kryeministri Rama u kujton tifozëve se, ajo që ka rëndësi më shumë në këtë ndeshje është fitorja e imazhit të Shqipërisë.

“Kuqezinjtë përballë fqinjëve serbë të enjten 8 tetor ora 20.30 në parkun e Kryeministrisë. Fitorja na çon direkt në Francë 2016. Barazimi është një tjetër hap drejt Evropianit. Humbja lë gjithçka të hapur.

Por mbi të gjitha, duhet të fitojë imazhi i Shqipërisë mikpritëse, dinjitoze, europiane, në një ndeshje futbolli, ku e tërë bota përveç nesh, nuk do të shohë rezultatin e ndeshjes po mbarëvajtjen e takimit të kthimit në Shqipëri, një vit pas shpërthimit të dhunshëm në fushën e Beogradit.

Prandaj le të nderojmë traditën shqiptare dhe ambicien europiane, duke dhënë një provë bindëse se ky është vendi i të ardhmes jo fushëbeteja e të shkuarës”, thuhet në mesazhin e Ramës, publikuar në “Facebook”./Shekulli