Rama pas takimit me Lavrov: Asnjëherë nuk kam qenë për pazare territoresh Kosovë-Serbi

E publikuar: 26/02/2020 23:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë pas vizitës së tij në Moskë në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, se qëndrimi i tij për zgjidhjen në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar.

“Kam qenë dhe mbeten në një njëjtin pozicion. Diskutimi absurd për ndarjen e Kosovës është i përgatitur në një kuzhinë ‘miserable’ për të helmuar opinionin publik në emër të atdhetarizmit të shitur”, ka thënë Rama në intervistë për Klan Kosova.

“Asnjë lloj procesi nuk mund të bëhet fshehtas. Ushqimi i njerëzve me ketë konspiracion që u zbulua dhe solli në “dritën e publikut” disa “heronj” si Ramushi [Haradinaj] apo Iliri [Meta].. Thjeshtë dhe vetëm shfrytëzon territore shpirtërore që janë njerëz të përvëluar nga lufta me plagë të renda, me psikologji të rënduar komplet për arsye legjitime të lidhura me agresionin serb që nuk i japin kohë vetës të marrin frymë dhe ta shohin realitetin”.

“Çfarëdo lloj marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës do të kalojë në shumë filtra – në filtrin e madh të opinionit publik, nëpër Qeveri, debate, referendume. Kjo që “diku u mblodhën 3-4-5 veta se po bëjnë pazar për të ndarë një shtet në sytë e gjithë globit është një përrallë banale e treguar me shumë ligësi me shumë maskarallëk për të injektuar në shpirtin e vrarë të shumë njerëzve që ndihen të vrarë nga lufta e mëparshme”.

Rama ka theksuar se Kosova duhet ta caktojë kufirin me Serbinë sikur që ka bërë me Malin e Zi apo me Maqedoninë e Veriut.

“Mali i Zi e njohu Kosovën por diskutimi për demarkacionin zgjati me vite dhe do të mund të mos kishte përfunduar kurrë. Asnjëherë nuk kam qenë për pazare në kuptimin e territoreve – në kuptimin banal është komentuar pafund. Kjo ka ndodh thjeshtë si rezultat i luftës politike”.

Për takimin me kryediplomatin rus, Sergey Lavrov, Rama ka thënë se ka qenë takim i vështirë për të arritur rezultat.

“Biseda ka qenë shumë interesante, patjetër që vizita në Moskë nga pikëpamja e përmbajtjes dhe mundësia për të arritur rezultate hyn në vizitat më të vështira. Takimi me Lavrov është një vetvete një takim tejet i vështirë sepse bëhet fjalë realisht për tu ballafaquar me një enciklopedi të gjallë të politikës së jashtme ruse dhe personash që ka dominuar në skenën e politikës globale si përfaqësues si njëra prej palëve më të rëndësishme”.

“Faktikisht më vjen mirë që takimi zgjati sepse biseda ka qenë shumë interaktive, interesante, jam përpjekur që të preken pikat e nxehta dhe të preken ato pika nevralgjike të një tërësie le të themi çështjesh pa mbetur në atë dhënie-marrjen klasike të pozicioneve”.