Rama: Me Athinën nuk negociojmë interesin kombëtar. Idrizi? Problem artificial

E publikuar: 27/05/2015 20:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç, kryeministri Edi Rama u pyet nga Top Channel mbi dy çështje ‘të nxehta’ sa i përket politikës së jashtme.

E para lidhej me mosmarrëveshjet me Greqinë sa i përket kufirit detar dhe deklaratat e Athinës pas zgjedhjes së Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit.

“Nuk shoh asnjë arsye në botë që as Athina dhe as qarqe mendimtarësh në Tiranë të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke, bazuar në praktikat rutinore, informacion për kërkimet në det. Ndërkohë që nuk është sekret dhe nuk ka filluar me qeverinë e re të Athinës përpjekja jonë për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të zgjidhur një çështje që është e interesit kombëtar. Ne duam të vijojmë bashkëpunimin e nisur edhe në të shkuarën. Kemi zgjidhur problemin e vjetër të toponimeve dhe kemi mbajtur hapur kanalin e dialogut në lidhje me çështjen e detit. Ne nuk kemi ndërmend ta negociojmë interesinn kombëtar me pretendimin e një fqinjësie të mirë. Ne nuk jemi zotuar të mbyllim sytë për një problem që nuk e krijuam ne dhe nuk e ushqejmë ne. Sa i përket nënkryetarit të Kuvendit, nuk e imagjinoj dot që Athina apo kushdo kryeqytet tjetër duhet të na tregojë ne si duhet të operojmë dhe është një problem artificial”, deklaroi Rama.

E dyta lidhej me deklaratën e Ramës mbi Maqedoninë pas incidentit të Kumanovës, deklarata që u interpretuan nga mediat maqedonase si kërcënim për veto për anëtarësimin në NATO.

“Sa i përket Maqedonisë, unë kam nënvizuar dhe do ta bëj atë të deklaratës së Samitit të Uellsit. As kam thënë veto, as kam kërcënuar. Ne jemi anëtarë të NATO-s, edhe kur është fjala për t’u dhënë zell deklaratave të përbashkëta të NATO-s, që falë edhe këmbënguljes sonë ka përfshirë edhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Këtë e themi dhe do ta themi me plot të drejtë. Nuk është as kërcënim, as bllokim, por qëndrim. Mbrëmë kemi marrë konfirmimin e Gruevskit për të qenë këtu. Plotësohet numri i të gjithë kryeministrave për të qenë këtu”, u shpreh kryeministri.

/ Top Channel