Rama: Mafia, e interesuar që të mos ketë ricklim

E publikuar: 04/10/2016 23:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Maliqi, gjatë një inspektimi të punimeve për landfillin dhe vend depozitimin e mbetjeve urbane, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbrojtur sërish ligjin e importit të mbetjeve, të miratuar javën e kaluar në Kuvend. Rama tha se është mafia ajo që kërkon që të mos këtë riciklim.

“Mafia është e interesuar që të mos ketë riciklim, sepse ju e dini shumë mirë që për çdo ton mbetje që vjen këtu, landfilldi merr pagesë. Ju jeni shoqëria aksionere e bashkive, pra, paguheni mes vetes, ndërkohë që kur landfilldi zotërohet nga privati, çdo ton merret e përpunohet këtu, ose groposet këtu me pagesë. Nëse një pjesë riciklohen, atëherë dhe tonelata që vijnë këtu janë më pak dhe paratë që fitohen nga groposja janë më pak. Edhe jetëgjatësia e landfilldit është më e gjatë”.

Gjatë takimit me disa riciklues të mbetjeve urbane, Rama tha se edhe në Korçë tashmë merr jetë edhe strategjia e sensibilizimit publik për ndarjen e mbetjeve në burim.

“Me përfundimin e kësaj zgjidhet dhe një plagë tjetër në organizmin e vendit. Elbasani u zgjidh, zgjidhet dhe qarku i Korçës, ndërkohe Tirana ka hyrë në një proces komplet revolucionar me kompaninë publike të përbashkët, Bashki e Tiranës dhe ajo e Veronës, që do të fillojë intensivisht shpërndarjen e mbetjeve në burim. Strategjia përfshin që ne në mënyrë agresive të sensibilizojmë, duke filluar nga shkollat e pastaj në lagje ndarjen në burim, që me dhënien e një nxitje të fortë riciklimit të ulim edhe tonelatat që shkojnë nëpër fusha”.

Edhe gjatë vizitës në shkollën “Stavri Themelko”, rikonstruksioni i së cilës kap vlerën e 50 milionë lekëve, Kryeminsitri Rama u ndal sërish tek ligji i importit të mbetjeve.

Rama tha se tashmë edhe shkolla është pjesë e programit për ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve, një program i shtrirë në të gjithë shkollat e qytetit./Klan Tv