Rama dhe Thaçi qytetarë nderi të Ulqinit, vlerësohet roli i tyre për paqe në Ballkan

E publikuar: 04/04/2015 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Ulqinit, në një ceremoni solemne për ditën e saj, po i shpallë qytetarë nderi edhe kryeministrin e Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, për rolin e tyre historik në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, marrëdhënieve të ngushta fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë me Malin e Zi, integrimin euro-atlantik dhe rolin shumë të rëndësishëm në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Ballkan dhe posaçërisht në Mal të Zi.

“Komuna e Ulqinit dallon si komunë e pasur në Ballkan për trashëgimi kulturore, monumentale, natyrore dhe ç’ është më e rëndësishmja edhe për vlera njerëzore, prandaj edhe unë sot ndjehem i privilegjuar që më keni nderuar me këtë çmim”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, kosovarët ndihen shumë afër Ulqinit, sepse e lidhin këtë trevë me kujtimet më të bukura të tyre gjatë stinës së verës.

“Përveç pushimeve verore, një tjetër urë e fortë lidhëse mes Kosovës dhe trevës suaj ka qenë edhe Universiteti i Prishtinës, në të cilin janë shkolluar me mijëra bijë dhe bija tuaja, por edhe ku kanë kontribuar dhjetëra kuadro të dala nga popullsia shqiptare e Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.

Para kësaj ata kanë zhvilluar një takim trilateral ndërmjet Thaçit, Rames dhe Vujanoviqit në zyrën e kryetarit të komunës së Ulqinit.

Raportohet se, Rama dhe Thaçi janë pritur edhe nga shqiptarë të shumtë, që kishin dalur për ti takuar ata në rrugë.

/express/