Rama akuzon PD-në për hapjen e negociatave me BE-në

E publikuar: 16/06/2019 21:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar Partinë Demokratike dhe aleatët e saj se janë duke penguar fillimin e negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gjatë një fjalimi në Pustec, kreu i Qeverisë së Shqipërisë ka thënë se veprimet e opozitës janë një fatkeqësi për vendin në momentin historik kur pritet hapja e negociatave me BE-në.

“Shqipëria është në një moment historik, ashtu si dhe Maqedonia e Veriut, pasi të dyja vendet presin hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, por për fat të keq, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria është në një përpjekje të brendshme për t’i shpëtuar një kurthi të ngritur nga brenda prej njerëzish që synojnë pikërisht pengimin dhe refuzimin e negociatave për anëtarësim nga Bashkimi Evropian. Kjo është një fatkeqësi”, u shpreh ai.

Rama ka drejtuar akuza edhe ndaj presidentit Ilir Meta, se po punon kundër hapjes së këtyre negociatave, duke krijuar bindjen te disa vende anëtare të BE-së se Shqipëria nuk e meriton një gjë të tillë.

“Meta sot nuk duhej të merrej me filxhanin e fallxhores, por duhej të merrej me përpjekjet për të takuar homologë, për të udhëtuar në kryeqytetet evropiane, për të folur për rëndësinë e çeljes së negociatave dhe nga ana tjetër duhej të merrej me qetësimin e fallxhores deri në ditën 30 qershor. Mjafton të ndalonte Ilir Meta kafen turke dhe nuk kishte më situatë sa qesharake, aq dhe të rrezikshme me një grusht njerëzish që dalin pa pikën e turpit nëpër televizor dhe kërkojnë të tmerrojnë shqiptarët që do të bëhet nami, do të vijë ’97 dhe me një opozitë që drejtohet nga njerëz që kërcënojnë gjithë ditën, që gjithë ditën merren me llafe, britma dhe mallkime”, tha kryeministri Rama.

Ai shtoi se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në të ardhmen, por se nuk premton mrekulli.

“Ne nuk ju premtojmë asnjë mrekulli, nuk premtojmë dot asnjë magji, se magjitë i bëjnë ata që shohin filxhan”, është shprehur Rama.