Rama: 3 vjet burg për këdo që futet në fushën e blertë

E publikuar: 11/03/2019 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se mazhoranca do të ndërhyjë në Kodin Penal duke mundësuar dënimin me 3 vite burg dhe përjashtim përjetë nga stadiumi për këdo që futet në fushat e blerta.

Ne do të ndërhyjmë menjëherë në Kodin Penal, kapërcimi i vijave të bardha do të dënohet me minimumi tre vite burg. Kush kalon vijën e bardhë dhe hyn në tapetin e gjelbër është kërcënim fizik për të gjithë ata që ushtrojnë aktivitetin aty, si për futbollistët ashtu edhe për arbitrat”, tha Rama duke shtuar se policia do të rikthehet në stadiume.

Kreu i qeverisë u angazhua për një reformë tërësore në futboll, ku sipas tij dhuna është e patolerueshme. Rama foli në tryezën e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe FSHF për sigurinë, reformimin dhe modernizimin e futbollit, raporton TvKlan, transmeton Klan Kosova.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se dhuna në ndeshjen Kamza – Laçi tregoi edhe një herë tjetër se heqja e policisë nga stadiumet ishte e parakohshme. “Ne nuk e bëjmë dot këtë punë pa ju, prandaj ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit”, tha Duka duke iu drejtuar Policisë së Shtetit.

Rama tha se “topi nuk rrotullohet pa policinë”, por Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bëri të qartë se “kur kërkojmë angazhimin e policisë duhet ta kemi të qartë se kjo ka një faturë që nga dikush duhet të paguajë.

Kryeministri Rama foli edhe për zerim të përkohshëm me afat 5 ose 10-vjeçar të tatimit mbi fitimin për ekipet e futbollit, por shtoi se nuk do të tolerohet më që futbollistë të caktuar të paguhen me shumë të mëdha, por në bordero të paraqiten sikur paguhen sa punonjësit e fasonerisë.

Kreu i qeverisë tha se edhe investimet në insfrastrukturën sportive do të përjashtohen nga taksat siç ka ndodhur me hotelet me 5 yje.