Raiffeisen Bank manipulon me llogaritë e klientëve (Dokument)

E publikuar: 16/07/2015 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dikush po manipulon me llogaritë e klientëve në Raiffeisen Bank në Kosovë.

Herë po u qet para më shumë e herë po ua tërheq edhe ato që i kanë. Kjo ka filluar ti frikësoj qytetarët që i kanë deponuar paratë në këtë bankë ose bënë transaksione përmes saj.

Ata po ndihen të pa sigurt derisa dikush tjetër përveç tyre mund të qaset sa herë të dojë në llogarit e tyre.

Lorenc Prlaskaj nga Fushë Kosova është vetëm njëri nga klientët që i kanë dhënë Gazetës Fjala dokumentacione që dëshmojnë për shkelje të të drejtave të klientëve dhe thyerje të sigurisë bankare.

Disa të tjerë për të cilët do të raportojmë në ditët në vazhdim rrëfejnë për raste edhe më kritike.

Zyrtarët e Bankës Raiffeisen kanë konfirmuar rastin por mohojnë që dikush të jetë duke manipuluar me paratë e qytetarëve. Ata thonë se kjo bankë përdorë teknologjinë dhe metodat bashkëkohore për menaxhimin dhe monitorimin e llogarive të klientëve.

Megjithatë klientët tregojnë ndryshe.

perlaskaj 2

Lorencit në natën e ndërrimit të motmoteve, më 31 dhjetor të vitit 2014 dikush ia kishte deponuar në llogarinë e tij 8,000 euro.

Deponimi ishte bërë me para kesh nga dikush që banka asnjëherë nuk e zbuloi, ose së paku nuk e bëri publike as për klientin e as pas kërkesës së Gazetës Fjala.

“U befasova kur pashë se më ishte mbushur kontoja me para”, tregon ai derisa shpjegon se menjëherë e kishte lajmëruar degën më të afërt të kësaj banke në Fushë Kosovë.

Por, u befasua edhe më shumë nga ajo që i thanë zyrtarët e bankës.

“Sipas tyre, unë vetë i kisha deponuar me dorë timen këto para në llogari. Madje më thanë se kishin edhe dëshmi të cilat nuk mi dhanë as pas tre muajve”, thotë ai.

Ai kishte shkruar edhe një shkresë për Raiffeisen Bank ku kërkonte sqarime dhe sipas Lorencit, përfaqësuesit në degën në Fushë Kosovë i kishin kërkuar që ti depononte paratë në një llologari të veçantë të kësaj banke edhe pse nuk dihej se paratë e kujt ishin, ndërsa dokumentacioni dëshmonte se ai i kishte deponuar vet.

Kjo situatë ka vazhduar deri më 23 janar kur edhe Lorencit i zbrazet llogaria pa dijeninë e tij. Ndërsa ai i shkruan bankës më datën 28.03.3015 pasi kupton se nuk i ka më paratë. Në këtë kërkesë që e posedon Gazeta Fjala ai kishte kërkuar nga drejtuesit e bankës që të jepnin sqarime për parat e deponuar dhe më pas të tërhequra nga llogaria e tij.

“Gjithashtu me datën 16.01.2015, prapë me ka thirrur me telefon një person zyrtar i bankës duke me njoftuar se nuk po mundet as ai ta konstaton origjinën apo prejardhjen e kësaj shume. Më vonë kam kuptuar se me datën 23.01.2015 nga ana e bankës suaj, arbitrarisht, pa dijeninë time, pa nënshkrimin dhe as pëlqimin gojor, nga llogaria ime është tërhequr shume e parave prej 8.000 euro”.

Ai dyshon se nuk bëhet fjalë se dikush gabimisht i ka deponuar të hollat por për një vjedhje të parave në llogari të klientëve dhe fshehje të gjurmëve duke bartur nga një llogari në tjetrën.

Këtij klienti bile i ka mbetur hatri në trajtimin e keq që ia kanë bërë punonjësit e bankës Raiffeisen duke e maltretuar dhe duke mos i dhënë sqarimet e duhura lidhur me transaksionet në emër të tij.

Për këtë Lorenci po përgatit padi ndaj bankës austriake.

“Shumë herë kamë kërkuar sqarime nga punonjësit në bankë por ata gjithherë më kanë dhënë informacione të pakta dhe jo të sakta. Dikush ka manipuluar me llogarinë time. Dhe unë për këtë jamë duke u përgatitur për padi në gjykatat kompetence”, ka deklaruar Lorenc Prlaskaj.

E në Raiffeissen pranojnë rastin ndërsa e cilësojnë si gabim teknik.

“Klienti është njoftuar drejtpërdrejtë nga punonjësit në degë si dhe përmes telefonit për detajet sa i përket këtij rasti. Ne dëshirojmë ta konfirmojmë se ky rast është menaxhuar në pajtueshmëri me procedurat e Bankës dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë”, ka thënë për Gazetën Fjala, Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun në këtë bankë.

Ndërkaq thotë se Banka Raiffeisen përdorë teknologjinë dhe metodat bashkëkohore për menaxhimin dhe monitorimin e llogarive të klientëve.

“Çdo punonjës i bankës është i obliguar të respektojë procedurat e bankës dhe nëse nuk ndodh kjo, Banka merr masat përkatëse të parapara me procedurat e brendshme të bankës si dhe me ligjet e aplikueshme në Kosovë”, është shprehur Tahiri. /Gazeta Fjala/

perlaskaj 3 copy perlaaskaj 4 copy perlaskaj -1 copy