Rahoveci mban stërvitjen e parë në palestrën e re

E publikuar: 24/02/2019 06:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skuadra basketbollistike e Rahovecit e ka bërë stërvitjen e parë në palestrën e re, “Mizahir Isma” dhe padyshim se kësaj i janë gëzuar basketbollistët, stafi dhe të gjithë tifozët.

“HISTORIKE, Skuadra mban stërvitjen e parë në shtëpi”, shkruan në një postim faqen e KB Rahovecit në Facebook.

Kujtojmë që Federata e Basketbollit të Kosovës vendosi që këtë sezon të riformatojë garën e Kupës së Kosovës, duke e zgjeruar atë dhe duke e bërë me tetë ekipe në një turne që zgjat disa ditë.

Për të realizuar këtë ide, FBK mori edhe një vendim të guximshëm – organizimin e ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës ia besoi KB Rahovecit, klubit që ka befasuar të gjithë me paraqitjet në Superligën e basketbollit, pa palestër.

KB Rahoveci aplikoi për organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme sportive edhe pse palestra ishte në finalizim e sipër, 12 vjet prej se u vunë themelet. Ndërsa palestra “Mizahir Isma” tashmë është pranë testimit final dhe do të jetë nikoqire e ndeshjeve të ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës në basketboll.

Palestra në Rahovec filloi të ndërtohej në vitin 2007, ndërsa tashmë ky qytet do ketë një palestër me pajisje sipas standardeve të FIBA-s që do të ketë 2200 ulëse statike.

Në fund të këtij muaji pritet që MKRS të bëjë një inspektim final dhe palestra të jetë gati për zhvillimin e ndeshjeve. /Telegrafi/