Rafinha do të mungojë gjashtë muaj pas operacionit në gjurin e majtë

E publikuar: 05/12/2018 06:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mesfushori i Barcelonës, Rafinha, nuk do të luajë në gjashtë muajt e ardhshëm, pasi i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike në gju.

25-vjeçari e lëndoi ligamentin kryesor të gjurit të majtë në barazimin (1-1) e muajit të kaluar kundër Atletico Madridit në Wanda Metropolitano.

Klubi katalunas ka konfirmuar të martën se operacioni i brazilianit ishte i suksesshëm dhe se do të mungojë në gjashtë muajt në vazhdim.

“Lojtari i ekipit të parë, Rafinha, i ka operuar me sukses ligamentet e gjurit të majtë. Intervenimin e ka bërë Dr. Ramon Cugat nën mbikëqyrje të shërbimeve mjekësore të klubit dhe ai nuk do të mund të luajë për afro gjashtë muaj”, thuhet në njoftimin e Barcës.

Kjo është hera e tretë që futbollisti pëson një lëndim serioz që e mban një kohë të gjatë jashtë fushe.

Në vitin 2015, ai e lëndoi ligamentin kryesor të gjurit të djathtë, ndërsa në vitin 2017 mungoi shtatë muaj pas lëndimit të meniskut.

Theksojmë se në këtë edicion, Rafinha i ka zhvilluar pesë ndeshje në La Liga dhe dy të tjera në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/