Radojçiq thotë se Policia shkoi në veri për ta vrarë, e jo për ta arrestuar

E publikuar: 25/11/2018 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, është deklaruar për intervenimin e forcave policore të Kosovs në veri, që shkuan për ta arrestuar, ndër të tjerë edhe vetë atë.

Radojçiq ka thënë se “ishte një ushtrim demonstrues dhe një kërcënim për çdo serb i cili vendos që të mbrojë dinjitetin dhe të drejtën e tij për jetë”.

“Ata erdhën në banesën time, ku unë jetoj me gruan dhe fëmijët e mi, me një ushtri të armatosur deri në dhëmbë, vetëm me një qëllim – për të më vrarë mua, dhe për këtë kam marrë dëshmi të qarta”, ka thënë ai.

FoNet transmeton se Radojçiq ka thënë se ai nuk do të dorëzohet.

“Sidomos për shkak se ata nuk erdhën për të më marrë të gjallë”, ka thënë ai.

Radojçiq ka thënë se “nuk isha shoku më i afërt i Oliver Ivanoviqit, por nuk jam vrasës dhe s’kam të bëjë asgjë me vrasjen”.

“Prishtina dëshiron që të më heq qafe sepse e di që bashkë me shokët dhe vëllezërit e mi jam prej të rrallëve që jam gati t’u kundërvihem në synimet e tyre për ta shkelur e për ta marrë Kosovën e Metohin e për ta vënë nën kontroll”, ka thënë Radojçiq, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë se nëse serbët e Kosovës e pyesin se ku është, do t’u thotë se është aty afër dhe po pret e këqyr, “sepse askush prej nesh nuk tërhiqet dhe në fund të fundit dhe pa asnjë mëdyshje fitorja do të jetë e jona”.