Radikalizmin në Kosovë: Brenda kazanit islamik të Kosovës

E publikuar: 28/06/2016 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia e lajmeve Radio Evropa e Lirë ka publikuar një shkrim në të cilin e përshkruan Kosovën si kryeqytet i xhihadistëve të Ballkanit.
Gazetari Frud Bezhan ka folur me një ish-rekrut të ISIS-it nga Kaçaniku, i cili ka rrëfyer për rrugëtimin e tij drejt Sirisë që t’i bashkohej grupit terrorist.

19-vjeçari nga Kaçaniku, në shkrimin e Radios Evropa e Lirë flet me emrin Adem, pasi emrin e tij të vërtetë nuk e ka treguar shkaku i frikës nga arrestimi. Atij i kujtohen momentet kur iu bashkua grupit më brutal të ISIS-it.

“Me një mjekër jo fort të gjatë, Ademi, i cili kërkon nga unë që të mos e përdori emrin e tij të vërtetë prej frikës nga arrestimi, thotë se asnjëherë nuk do të ishte larguar nga Kosova. Por dy vjet më parë, ai e gjeti vetin në kufirin e largët mes Turqisë dhe Sirisë. Vend takim për të huajt që donin t’i bashkoheshin ISIS-it”.

Pasi ishte marrë nga ISIS-i në një fshat turk, ai kishte pritur që të shkonte në zonën e luftës. Fillimisht ka bërë stërvitjet e zakonshme dy javore në qytetin sirian Raqqa, para se të vendosej në grupin e luftëtarëve, transmeton Koha.net. Pak orë para se të vendosej në kufi, Ademi vendosi që të kthehej në shtëpi.

“E kuptova që shkuarja në Siri nuk kishte të bënte asgjë me Islamin” thotë Ademi, i cili sipas REL-it, vazhdimisht kthente kokën pas për të kontrolluar mos zbulohej nga autoritetet kosovare. Radio Evropa e Lirë e përshkruan 19-vjeçarin si çdo i ri tjetër kosovarë, i veshur me xhins e fanellë.

Qeveria e Kosovës vlerëson se më shumë se 300 kosovarë kanë udhëtuar drejt Sirisë për t’u bashkuar me ISIS-in në luftën e shenjtë. Kjo e bënë Kosovën si shtetin më të madh në Evropë që ka kontribuuar me ushtarë të ISIS-it.

Kaçaniku në veçanti ka fituar reputacionin e kryeqytetit xhihadistë të Ballkanit. Në tre vjetët e fundit, së paku 24 kaçanikas i janë bashkuar grupeve terroriste si ISIS-i ose Al-Qaeda në Siri dhe Irak.

Rrugëtimi i Ademit drejt radikalizmit filloi kur pranoi një ftesë në Facebook për të marrë pjesë në një ligjëratë të një imami. Ai thotë se ishte “kurioz” për Islamin. Në pesë muajt e ardhshëm, Ademi së bashku me disa të rinj tjerë mori pjesë në ligjërata dhe klasa kuranore në një xhami të afërt.

Këto ligjërata ishin organizuar nga Rinia Islame, një organizatë bamirëse islamike që operon në Kaçanik. Ademi thotë se ligjëratat në të cilat mori pjesë ai ishin shumë të ashpra dhe strikte.

“Ata na thoshin që të mos u flisnim femrave për dore dhe që të mos shkonim në kafene dhe bare”, tregon Ademi.

19-vjeçari tregon se ligjëratat vazhdimisht kishin të bënin me xhihad dhe konfliktet në Siri dhe Irak.

“Familja ime nuk e praktikon fenë shumë”, thotë Ademi, i cili jeton me prindërit dhe dy motra në një banesë në Kaçanik. “Vetëm unë dhe gjyshi”, thotë ai.

Ademi thotë se familja e tij e kishte kuptuar se ai po radikalizohej.
“Ata më thoshin se nëse dua ta praktikoj fenë, mund ta bëj, mund të falem, por që të mos bëhesha radikal”, tregon ai.

Ligjëratat në të cilat mori pjesë Ademi, jepeshin nga Zeqirja Qazimi, një imam i famshëm, i cili u dënua me 10 vjet burgim më 20 maj pasi ai dhe gjashtë të tjerë u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në luftë të huaj dhe për rekrutimin e të rinjve kosovar në ISIS.

“Imami Zekerija Qazimi vjen nga Gjilani”, thotë Ademi. “Ai na fliste neve për xhihadin”.

Produkt tjetër i radikalizmit në Kaçanik është edhe Lavdrim Muhaxheri, 25-vjeçari i cili lufton në Siri. Ai nga mediat është përshkruar si njëri prej liderëve kryesor të ISIS-it.

Vitin e kaluar u publikua një video në të cilën shihej Muhaxheri duke prerë kokën e një të riu sirian. Ndërsa në një tjetër video ai me një raketë vret një tjetër të burgosur.

Ademi nuk dëshiron të flasë shumë për banorin më famëkeq të Kaçanikut, por thotë ta ketë parë Muhaxherin duke u lutur në një xhami. Ademi thotë se ai dukej normal.

Ademi thotë se rruga e Muhaxherit është mësim për të rinjtë e Kaçanikut se nuk duhet të shkojnë në Siri.

“Unë jetoj jetë normale përsëri, jam shumë me fat”, i thotë Ademi gazetarit të Radio Evropa e Lirë. “Jo të gjithë që gabojnë mund të gjejnë rrugën e tyre përsëri”, thotë Ademi.