Radhë të gjata në një lotari në Turqi – njerëzit besojnë se mund të bëhen milionerë për një natë (Foto)

E publikuar: 28/12/2018 18:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Çdo vit në prag të Vitit të Ri, mijëra njerëz grumbullohen në stendën më të famshme të lotarisë në Stamboll, të tërhequr nga premtimi i shfaqur: “Nimet Abla do t’ju bëjë të fitoni”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, për 90 vjet, salla e lotarisë ka tërhequr një numër të madh turqish, të mbushur me shpresë në këto kohëra të trazuara ekonomike, kryesisht për shkak se i ka bindur njerëzit se është pikërisht aty vendi me shansin më të mirë për të fituar.

Dhe kështu njerëzit qëndrojnë atje, madje edhe duke injoruar një pjesë të njerëzve të cilët lotarinë e konsiderojnë si mëkat.

Konsumatorët e ngazëllyer madje bëjnë edhe selfie para sporteleve të biletave në lagjen Eminonu, afër një prej xhamive më të bukura osmane në Stamboll, Yeni Cami.

Aty, gjithashtu, një duzinë rojesh sigurie formojnë një kordon rreth tezgës për të ndaluar kaosin dhe mbajtur radhët, të cilat arrijnë deri në disa qindra metra.

Me një kohë pritjeje deri në tre ose katër orë në fundjavë, ata që dëshirojnë të blejnë bileta duhet të jenë të durueshëm.

Përveç stendës historike në Eminonu, Nimet Abla ka edhe dy vendshitje të tjera që shesin bileta në Stamboll, për të cilat klientët vijnë nga e gjithë Turqia.

Këtë vit, çmimi i ri i Vitit të Ri vlen 70 milionë lira turke (rreth 11.5 milionë euro). Një biletë kushton 70 lire (11.5 euro), por ka edhe “një biletë gjysmë” ose madje një “çerek biletë”. /Telegrafi/