Qyteti i Ferizaj bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

E publikuar: 07/06/2019 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e sotme në qytetin e Ferizaj u inaugurua Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e cila përveç se ka për qëllim të rrisë punësimin dhe zhvillimin ekonomik, gjithashtu të mbështesë së rinjtë përmes teknologjisë.

Gjatë perurimit të kësaj qendre morën pjesë Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë z. Besim Beqaj i cili tha se “kjo qendër është një dritare e së ardhmes dhe garanton perspektivë zhvillimore ekonomike dhe sociale në qytetin e Ferizajt.”

“Qendra do të fokusohet në inkubim, trajnime, hulumtim dhe zhvillim, mentorim dhe konsulencë, hapësirë e përbashkët e punës, takime dhe konferenca, B2B dhe projekte donatorësh”, tha ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Qendra e inovacionit dhe ndërmarrësisë në Ferizaj është fryt i një bashkëpunimi mes ministrisë në fjalë dhe Komunës së Ferizaj.

“Kosova është një nga vendet më të reja të Evropës, me një pjesë në rritje të popullsisë në moshë pune dhe të edukuar në masë të madhe, ky fakt, përbën një avantazh konkurrues në raport me ndryshimet globale ekonomike që po ndodhin. Misioni im është që Kosova të jetë qendër rajonale e zhvillimit digjital dhe teknologjik”, tha ministri Beqaj. /PCWorld Albanian