Qytetaria dhe nderi ishin virtyte të Gent Ollonit

E publikuar: 08/04/2015 14:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me organizim të Komunës së Gjakovës, sot në nderim të asamblistit Gent Olloni, është mbajtur mbledhje komemorative ku janë shprehur dhimbje të shumta për humbjen e një personaliteti dinjitoz, profesional dhe shumë të vyeshëm.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila në fjalën e saj, theksoi se “Dje në mëngjes ishte gati e pamundur të mendonim se sot do të mblidheshim në mbledhje komemorative për Gentin, i cili iku dhe na la pa e kërkuar as ndihmën më të vogël nga ne. Fjalët e fundit i la. Ai u ngrit dhe foli. Foli për diçka që mendonte se është për të mirën e Gjakovës. Genti, morri iniciativën të flasë ndër të parët për atë që mendoi se është në të mirën e Gjakovës, deshi të flaës që të mos i mbesë borxh askujt! Duke u shprehur më tej për karakterin dhe modestinë e Gent Ollonit, kryetarja Mimoza Kusari Lila kujtoi se: ‘Genti asnjëherë nuk kërkonte. Ai jepte nga vetja e tij. Sot, të paktë janë ata që japin aq sa ishte i gatshëm të jepte Genti’”.

Në fjalën e saj mortore, kryetarja Mimoza Kusari Lila foli dhe për jetën dhe pretendimet e tij njerëzore të arritura me punë dhe angazhim, të cilit nuk i nevojitej politika e as pushteti për t’i arritur ato.

“Puna dhe përkushtimi i tij treguan që ai na kishte kursyer të gjithë neve por nuk e kishte kursyer vetën”, tha Kusari-Lila, raporton Telegrafi.

Ajo shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, asamblistët, kolegët, dhe miqtë dhe theksoi që përkujtimi për Gentin do të jetë gjithmonë i paharruar dhe frymëzues për gjeneratat e reja.

Fjalën mortore e ka mbajtur edhe kryesuesi i Asamblesë Komunale, Luan Gola, i cili foli me pietet për jetën dhe për punën e tij prej asamblisti.

Ai u shpreh i pikëlluar për ikjen kaq të hershme të Gentit, i cili ishte gjithmonë i gatshëm për të punuar dhe kontribuar në për të mirën e Komunës. “Genti tregoi se qytetaria dhe nderi janë virtyte të vlefshme të tij pa harruar misionin për të cilin ishte nisur”, theksoni ndër të tjera kryesuesi i Asamblesë.

Në mbledhje komemorative, kanë mbajtur fjalë edhe Ali Tafarshiku, në emër të subjektit politik AKR, përfaqësuesja e kompanisë IPKO, Ardita Ramosaj, ndërsa në emër të familjes është shprehur Enver Olloni, vëllai i Gentit. /Telegrafi/