Qytetarët shprehen të shqetësuar ndaj tubimeve të partive politike: Po rrezikojnë shëndetin e popullatës

E publikuar: 31/01/2021 15:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tubimet elektorale të partive politike në kohë pandemie, po shihen si shumë shqetësuese nga qytetarët, të cilët shprehen se këto tubime po rrezikojnë shëndetin e popullatës, raporton Ekonomia Online.

Qytetari Berham Simnica tha për Ekonomia Online që nuk i përcjell tubimet elektorale, por që sipas tij çdo tubim sipas vendimeve qeveritare ndikojnë negativisht dhe munden me përhap Coronavirusin.

“Unë fare nuk i përcjelli ato, por secila parti jep ato qëndrimet dhe mendimet e veta për me fitua simpatizuesit e vet, po çdo tubim sipas vendimeve qeveritare, e shteteve përreth tubime të tilla ndikojnë negativisht dhe munden me përhap Coronavirusi”, tha qytetari Simnica.

Në anën tjetër qytetari tjetër Ismet Tahiri tubimet në kohë pandemie i konsideron pa rezultat, dhe që po devijojnë njëra prej tjetrës që 20 vite. Madje ai shtoi që asnjëherë nuk merr pjesë në këto tubime.

Ka edhe nga qytetarët të cilët nuk shikojnë televizion dhe janë apolitik, këtë e tha qytetari Valoni i cila tha që është apolitik dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë tubim politik.

Sipas qytetarit Azemi, tubimet politike i sheh si shumë tollovi dhe sipas tij janë tubime ku kryetarët shajnë, dhe janë tubime pa disiplinë.

“Kjo është në krejt nivelin e Kosovës, jeta qysh është në krejt nivelet janë edhe këto tubime, janë edhe tollovi, ku shan kryetari i Komunës, shan kush të mundet çka do, shan edhe në fund kthehen në shtëpitë e veta, nuk shquhet Kosova me disiplinë, me ndonjë kulturë të sjelljes e tubimeve, të ushqimit e të punës”, u shpreh Azemi.

Ai tha që nuk ka marrë pjesë në asnjë tubim, dhe nuk e ka ndërmend, pasi këto tubime i sheh si vulgare, dhe tubime kopesh, por që do të del të votoj dhe të shfrytëzoj të drejtën e votës.

Krejt këto reagime të qytetarëve vinë si pasojë e tubimeve të partive politike në prag të fushatës zgjedhore që po mbahen në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Mosmbajtja e maskave dhe mosrespektimi i distancës janë shkeljet për të cilat Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka ndëshkuar partitë politike.