Qytetarët kërkojnë masa urgjente për ndotjen e ajrit (Video)

E publikuar: 31/01/2018 15:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qindra qytetarë sot kanë protestuar në sheshin “Skënderbeu” në shenjë pakënaqësie me nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet.

“Plasëm, u ngulfatëm”, “Helm”, “Hazardous”, “Po du ajër”, “Shpend duaje Prishtinën”, “Veç edhe ajrin keni mbet pa e privatizuar”, ishin këto disa nga pankarta të cilat protestuesit mbanin në duar në shenjë proteste ndaj ndotjes së ajrit në Prishtinë, i cili ka arritur përmasa shqetësuese.

E në mesin e këtyre protestuesve u gjend edhe një turist nga Kina i cili kishte ardhur për ta vizituar Kosovën.

Ai për Telegrafin u shpreh se pjesmarrja e tij në protestë ishte e rastësishme.

“Jam turist këtu dhe vij nga Kina. U ndala këtu pasi që isha kureshtar për këtë protestë kundër ndotjes së ajrit. Faktikisht vetëm doja të shkoja në muze por pashë shumë njerëz që janë mbledhur këtu dhe desha të ndalem të shikoj çfarë po ndodh”, u shpreh ai.

Tutje turisti nga Kina theksoi se e admiron këtë sepse sipas tij të rinjtë e kanë obligim ndaj shoqërisë të protestojnë për gjendjen e ajrit të tyre.

E në anën tjetër, Anton Nrecaj njëri nga organizatorët e kësaj proteste, u shpreh se organizmi i kësaj proteste kishte për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për ndotjen e ajrit.

” Ne sot kemi dalë me disa kërkesa emergjente. Njëra nga kërkesat është që të sensibilizohet opinioni se situata është e rrezikshme dhe duhet me mbajt maska, tjetra është që tri komunat e rrezikuara ajo e Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Prishtinës të siguroj maska edhe ato të shpërndahen përmes qendrave mjekësore dhe shkollave”, ka thënë Nrecaj. \Telegrafi\