Qytetarët ankohen se po paguajnë për bileta, “Trafiku Urban” mohon

E publikuar: 31/01/2018 13:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarë të shumtë që në orët e mëngjesit kanë adresuar ankesa për shkak se kanë paguar biletë të autobusit edhe pse për sot ishte vendosur që të ofrohet transport falas për shkak të ndalesës për qarkullim me vetura në qendër të kryeqytetit. Zyrtarë të Trafikut Urban mohojnë duke thënë ata që kanë paguar bileta i kanë ngatërruar autobusët.

Për të shkuar në punë, ajo kishte zgjedhur që të përdorte linjën 4 të “Trafikut Urban”. G.N, një qytetare nga Prishtina, tha se ajo ishte detyruar të paguajë biletë, ndonëse vendimi nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit ishte që sot transporti me autobusë të jetë pa pagesë.

“Gjatë mëngjesit të sotëm hipa në autobusin e linjës 4 për të shkuar në punë. Pagova biletë edhe pse thirrjet e komunës dhe premtimet kanë qenë për të mos paguar”, u shpreh ajo.

Të njëjtin problem sot e ka pasur edhe një qytetare tjetër. F.Dobruna. Shqetësimin e saj ajo madje e kishte publikuar në rrjetet sociale.

“Unë autobusin e pagova nga Bregu i Diellit për të ardhur deri te Qafa. Nuk paska pa pare asgjë”,tha ajo.

Por, cili është qëndrimi i Komunës së Prishtinës për moszbatim të këtij vendimi?

I kontaktuar nga Express, kryeshefi Ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Halil Mustafa ka mohuar të ketë ndodhur kjo nga “Trafiku Urban”, ndonëse në orën 8 të mëngjesit kishte pranuar disa ankesa nga qytetarët.

Ai thotë se pagesa e biletës e gjitha është një keqkuptim dhe se qytetarët i kanë ngatërruar operatorët privat me ata të “Trafikut Urban”

“Kjo thjesht është një keqkuptim, ka operatorë që kanë ngjyrë të njëjtë të verdhë siç i ka trafiku urban dhe ka mundësi të jenë operator privat. Nuk ka mundësi të ndodh ajo”,

Madje ai shprehet optimist se qarkullimi i autobusëve me biletë falas do të shkojë mirë me gjithë kapacitetin e vogël të trafikut urban me vetëm 30 autobusë.

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit kanë marrë vendim që “Transporti publik të jetë falas” për ditën e sotme.

Mustafa në lidhje me këtë thotë se bileta falas mund të jetë deri në fund të javës

“Sa zgjat nuk e di, mund të jetë deri në fund të javës. Varet nga kërkesa e Ministrisë nëse ata do ta japin vendim që ta vazhdojmë apo që nga nesër të kthehemi siç kemi qenë më pagesë”, theksoi ai.

Që nga ora 6 e mëngjesit ka filluar të zbatohet vendimi për ndalimin e qarkullimin e veturave në qendër të qytetit në rrugët, “Agim Ramadani”, “Edmond Hoxha”, “Ilir Konushevci” e rrugët “UÇK” dhe “Fehmi Agani”.

Komuna e Prishtinës me qëllim të uljes së nivelit të ndotjes së ajrit ka marrë vendim që të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës, nga ora 06:00 deri në orën 22:00 përveçse automjeteve të transportit publik, atyre emergjente, Policisë së Kosovës, misioneve diplomatike, automjeteve të FSK-së, KFOR-it, EULEX-it, drejtorisë së Inspeksionit, taksive të licencuara dhe atyre për bartjen e personave me aftësi të veçanta të cilat edhe mbajnë shenjë identifikuese.

Këto masa erdhën pas gjithë raportimeve për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit ku për ditë me radhë, renditi Prishtinën në vendin e parë me ajrin më të ndotur e që rrezikonte edhe shëndetin e shumë qytetarëve.

Ndotja e ajrit vazhdon të jetë në nivele të larta duke arritur në 235 ppm.