Quni: Një pjesëtar i FSK-së është i infektuar me koronavirus

E publikuar: 03/04/2020 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se asnjë pjesëtar i FSK-së në Kosovë nuk rezulton i prekur me koronavirus.

Mirëpo, Quni në RTV Dukagjini tregoi se një nga ushtarët e FSK-së me mision jashtë Kosovës ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

“Ka një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të FSK-së, siç janë atashetë ushtarakë, me misione apo trajnime ushtarake jashtë vendit. Deri tani, vetëm njëri prej tyre rezulton i prekur me Covid-19 derisa ishte në një trajnim”.

Kreu i Mbrojtjes në Kosovës nuk ka dashur të tregojë vendin ku është infektuar ushtaraku duke e konsideruar këtë si diskrecion shtetëror.

Ai theksoi se me të janë në kontakt dhe i njëjti është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ai madje as që e ka vërejtur që është i infektuar, por kur ka bërë testet si gjithë pjesëtarët tjerë ka rezultuar pozitiv”.

Duke folur për rolin e Forcës së Sigurisë Kosovës në menaxhimin e pandemisë, Quni thotë se për momentin FSK-ja bën transportimin e udhëtarëve nga aeroporti apo kufiri tokësor, si dhe vendosjen e tendave nëpër qendra të ndryshme mjekësore.