Qorrolli: Protesta e sotme s’do duhej të adresohet ndaj Gjykatës Kushtetuese

E publikuar: 28/05/2020 17:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarët kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbeu”në Prishtinë, në atë që është quajtur ‘prova e dytë për protestë’ e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Juristi Vigan Qorrolli ka thënë që kjo protestë, sot nuk do të duhej as të ndodhte, për shkak të situatës në të cilën ndodhemi me pandeminë.

“Një prej elementeve kryesore të demorkacisë është edhe revolta qytetare, e shprehur përmes protestave. Situata në të cilën ndodhemi nuk është e justifikueshme për t’u protestuar. Duhet të gjykohet pse po ndodhë menjëherë pas lehtësimit të masave nga Covid 19”.

Qorrolli në Specialen në Klan Kosova,vlerëson se kjo protestë, nuk duhet as të adresohet ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Çështjet që lidhen me përplasjet e ditëve të fundit, mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti, nuk kanë të bëjnë domosdoshmërisht me protestën e sotme. Protesta e sotme nuk duhet as të adresohet ndaj Gjykatës Kushtetuese, vendimit potencial të saj, e cila nuk mund t’i vijë për shtati palëve politike”.

“Sistemi jonë juridiko-politik, fatkeqësisht është stërkequr nga politikanët të cilët me akuzat e ditëve të fundit, po tregojnë që janë të papjekur demokratikisht”.

“Përdorimi i popullit është popullizëm. Qytetarët kanë të drejtë për të protestuar, por jo për t’u viktimizuar, si thirrje në kuptimin e kundërshtimit të një veprimi të caktuar”, është shprehur Qorrolli.