Qorrolli: Prokuroria ka bazë të kërkojë shpalljen e Listës Serbe parti jokushtetuese

E publikuar: 13/10/2019 19:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, ka thënë se Prokuroria e Shtetit e Kosovës, ka bazë të mjaftueshme për të kërkuar që Lista Serbe të shpallet parti jokushtetuese.

Në një postim të tij në rrjetin social Facebook, Qorrolli ka thënë se “shteti i Kosovës e ka raportin zyrtar të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 6 tetorit — ku thuhet troç se serbët kosovarë janë intimiduar, shantazhuar dhe kërcënuar — në mënyre që t’ia japin votën e tyre një partie të caktuar politike, në këtë rast Lista Srpska”.

“Gjithashtu, votat e serbëve kosovarë që jetojnë në Serbi, janë siguruar përmes të njëjtës metodë”, ka shprehur bindjen Qorrolli.

Ai ka thënë se “Prokuroria e Shtetit ka baze te mjaftueshme juridike të iniciojë hetim penal për sigurimin joligjor të këtyre votave dhe me rastin e helmimit të sotëm të ndodhur në KQZ — të kërkojë pranë gjykatës kompetente shpalljen si jokushtetuese të kësaj partie politike”.

“Kjo për shkak se Lista përveç se nuk e pranon rendin juridik te Kosovës, e shantazhon dhe e helmon Kosovën me vrerin e Millosheviqit të viteve të ‘90-a”, ka thënë Qorrolli.

Për më tepër, thotë më tej Qorrolli, këto vota janë sjellë në Kosovë nga Zyra ndërlidhëse e Serbisë në Prishtinë.

“Krejtësisht kundërligjshëm, sepse Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk e lejon votimin nëpër ambasadat ose konsullatat e Kosovës. Një zyrë diplomatike e huaj, si ajo serbe në Prishtinë, nuk ka tagër ligjor, të bëjë bartjen e votave në mënyrë kolektive në një jurisdiksion të huaj — kompetent për mbajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë Qorrolli.