Qorrolli: Pengesat për mosarritjen e marrëveshjes VV-LDK lidhen kryekëput për pushtet

E publikuar: 12/12/2019 00:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vigan Qorrolli ka thënë se duhet të arrihet kompromisi mes VV-së e LDK-së për të bashkëqeverisur, ndonëse “sharra në gozhdë” tashmë ka ngecur tek posti i Presidentit.

Në Interaktiv të KTV-së, analisti politik Qorrolli tha se nëse LDK e ka të patjetërsueshëm postin e presidentit, atëherë VV-ja duhet të kërkojë çfarë të dojë në dikasteret qeverisëse.

“LDK-ja e ka të panegociueshëm postin e presidentit, dhe duhet të ketë një lloj kompromisi për këtë. Kjo çështje është ajo ‘sharra në gozhdë’ që i ka bllokuar proceset. Në këtë situatë, kompromisi më real do të ishte që dikasteret të ndahen në atë formë që nëse LDK e ka të patjetërsueshme postin e presidentit, VV duhet të jetë në pozicionin që të marrë çfarë të dojë nga qeveria. Matematikisht VV është mbi LDK, qoftë edhe pse e ka vetëm një deputet më shumë. Fituesi i zgjedhjeve e ka të drejtën edhe për të bërë kushte për qeverisje. Në vend që të përplaseshin për ideologji programore, beteja ka kaluar për t’u mospajtuar për çështje që nuk do të duhej të ishin – e që janë postet. Kompromisi duhet të vjen. LDK e ka kthyer në armë të tyre politike postin e presidentit. Politikani më jetëgjatë në skenën tonë politike është Isa Mustafa dhe dëshiron ta përfundojë karrierën e tij politike me një ‘happy end’. Mustafa s’e ka mohuar ambicien për t’u bërë president edhe në deklarata publike. Por, në këtë rast nuk është i rëndësishëm emri i presidentit. Armiqtë politikë të Mustafës e kanë sulmuar atë vazhdimisht pse e bëri Thaçin president, dhe ai synon që ta restaurojë atë imazh duke u bërë vet president”, tha Qorrolli.

Ai thotë se kërkesa e qytetarëve të Kosovës ka qenë kjo, që partitë që kanë qenë deri më tani në pushtet duhet të shkojnë në opozitë, ndërsa opozita e kaluar të vijë në pushtet.

“Por, këto dy parti, VV e LDK, janë shkëputur tani nga realiteti me popullin, dhe po merren me gjëra që s’janë primare tani – që janë postet. Nëse kërkesa e qytetarëve ka qenë që të bëhet ndryshimi nga ta, atëherë ata duhet ta realizojnë këtë kërkesë sa më shpejt. Qeverinë e re mund ta prolongojnë problemet deri në muajin mars. Edhe nëse VV kërkon zgjedhje të reja, do të jetë e pafalshme për ta kjo kërkesë”, deklaroi Qorrolli.

Sipas Qorrollit, për të ardhmen e negociatave janë dy skenarë.

“I pari që nëse pajtohen palët posti i presidentit të lihet për situatë të mëvonshme, të fillohet me qeverisje e të shkohet me hapa për të cilët kanë fituar zgjedhjet dhe i dyti është nëse posti i presidentit është përnjëmend i panegociueshëm dhe është karremi i LDK-së pa të cilin s’e paramendon jetën politike, duhet VV-ja të orientohet drejt dikastereve qeverisëse që i ka pasur kartë elektorale”, ka thënë ai.

23:34
Qorrolli: Pengesat për mosarritjen e marrëveshjes VV-LDK lidhen kryekëput për pushtet
Analisti politik Vigan Qorrolli ka thënë se pengesat që nuk po lejojnë marrëveshjen mes Vetëvendosjes e LDK-së për koalicionin qeverisës lidhen kryekëput për pushtet.

Ai ka thënë se kërkesa e LDK-së që të marrë presidentin pas një viti e gjysmë ka zënë në befasi Vetëvendosjen.

“Ka pengesa të cilat lidhen kryekëput për pushtet. Së pari VV-ja si fituese e zgjedhjeve, gjendet në pozitë më komode, duke i ofruar gjysmën e hises apo tepsisë LDK-së që po dëshiron ta kapitalizojë të qenurit në vend të dytë. E dimë tradicionalisht që LDK-ja është parti me vendimmarrje më problematike, më të ngadalësuar, e këtë e ka treguar edhe në qeverisjen e Mustafës. Duke dashur ta kapitalizojnë po duan të kenë presidentin si kusht të panegociueshëm dhe VV-ja nuk duket e gatshme të ofrojë më shumë se që ka paramenduar. Duket kalkulim i paparashikuar i Isa Mustafës dhe LDK-së kundrejt Kurtit që ka menduar se mbase duke fituar zgjedhjet do të jetë në pozitë komode për të zgjedhur partner, e ideja për të materializuar vullnetin e sovranit do të ishte më i lehtë realizimi i rezultatit. Po del më i vështirë për shkak të egove politike. Tradicionalisht e dimë që ambiciet për pushtet tejkalojnë pritjet reale të njerëzve”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, Vetëvendosje asnjëherë s’ka llogaritur para zgjedhjeve se LDK-ja do t’ia kërkonte postin e presidentit. Qorrolli ka thënë se kërkesa e LDK-së që për presidentin të ketë marrëveshje një vit e gjysmë para zgjedhjes së tij, është kërkesë jorealiste.

“Jorealiste sepse për atë post do të duhej të paktën një vit të punonte qeveria e të jetësohet vullneti i sovranit, e të mos bëhet ideja që pas 16 muajsh të vihet presidenti, por të materializohet qeveria. Fillimisht të jetësohet vullneti i sovranit. Ideja për të negociuar presidentin në dhjetor 2019 për prill 2021 është e parakohshme, e pamaturueshme, edhe e pamenduar mirë, e pa llogaritur mirë”, ka thënë ai duke shtuar se “tashmë po vërehet mosbesimi mes dy partive”.