Qohet Dardan Nuhiu, “me mirësjellje” i thash Astritit, publikimi i këtij raporti ka pasoja ligjore

E publikuar: 09/04/2015 17:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Reagim ndaj shkrimit me titull “Pas publikimit të dokumenteve për Lumezin, kërcënohet Astrit Gashi” të botuar në portalin gazetablic.com më 8 prill 2015.

Për hir të sqarimit të opinionit publik, vendosa të bëjë këtë reagim ndaj shkrimit të portalit gazetablic.com, konkretisht ndaj z.Astrit Gashi, i cili përmes reagimit në llogarinë e tij në Facebook dhe të publikuar në gazetën “Blic”, e më pas të cituar nga portale dhe media tjera, se kinse e kam kërcënuar përmes një thirrje telefonike është krejtësisht e pavërtetë.

Me qëllim të sqarimit dhe të informimit të drejt të publikut, dëshiroj të theksoj se më datën 08 prill 2015, pasi që kam vërejtur se protali gazetablic.com kishte publikuar një raport të krijuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF), i cili raport është i klasifikuar si konfidencial bazuar në ligjin me numër 03/L-178 PËR KLASIFIKIMIN E INFORMACIONEVE DHE VERIFIKIMIN E SIGURISË, në të cilin ligj specifikohet detyrimi në radhë të parë i institucioneve për t’i klasifikuar dokumentet e tyre zyrtare dhe pas këtij klasifikimi i njëjti ligj ndalon publikimin e paautorizuar të informacioneve të klasifikuara.

Meqenëse në shkrimin e datës 8 prill 2015, portali gazetablic.com, kishte publikuar një raport të tillë të klasifikuar, i cili raport është bërë nga NJIF-i me kërkesën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) me rastin e konkursit për zgjedhjen e Kryreprokurorit të Shtetit dhe ky raport i është dorëzuar këtij Këshilli në rrugë zyrtare dhe për qëllime zyrtare.

Publikimi i këtij raporti në gazetën “Blic” është një shqetësim për institucionin të cilin unë e drejtoj dhe një dukuri e tillë e publikimit të raporteve konfidenciale paraqet rreziqe për sigurinë e të dhënave shtetërore të cilat janë të mbrojtura me ligj.

Duke pasur parasysh peshën dhe ndjeshmërinë e publikimit të informacioneve të tilla, unë më datën 8 prill 2015 kam telefonuar z.Astrit Gashi në cilësinë e drejtuesit të poralit gazetablic.com me qëllimin e vetëm që ta informoj të njëjtin se publikimi i paautorizuar i dokumenteve të tilla konfidenciale sanksionohet me ligj.

Gjatë bisedës time telefonike me z.Gashi ku se pari iu kam prezantuar me mirësjellje se kush jam e më pas me qëllim të informimit të tij i thash që publikimi i këtij raporti është në kundërshtim me ligjin dhe një veprim i tillë ka pasoja ligjore. Reagimi i tij në telefon ishte krejtësisht joprofesional, ku me një ton të lartë të zërit dhe pa kurrfarë mirësjellje prej gazetari me tha kështu: “Vazhdo ti me ligj…”, dhe pas kësaj ai njëanshëm e ka mbyllur telefonin.

Kjo ishte e tërë biseda ndërmjet meje dhe z.Gashi, ku në përmbajtjen e saj nuk ka asnjë element kërcënues, mirëpo jam habitur se si një gazetar më përvojë kaq të gjatë në media, spekulon në këtë mënyrë me opinionin publik.

Po ashtu dëshiroj të theksoi se arsye e thirrjes së z.Gashi në telefon ishte shqetësimi im për ruajtjen e informacioneve të mbrojtura me ligj dhe nuk kam pasur asnjë synim të ndikoj në z.Gashi e aq më pak ta kërcënoj atë.

Për publikimin e këtij raporti në mënyrë të paautorizuar, dua të njoftoj se sot e kam hapur rastin në Policinë e Kosovës dhe i bëj thirrje organeve të ndjekjes të hetojnë mënyrën e rrjedhjes të këtij raporti konfidencial në media.

Për fund dua të sqaroj se NJIF-i është Institucion Administrativ i krijuar nga ligji Kundër Shpëlarjes së Parasë dhe Financimit të Terrorizimit. NJIF funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave dhe nuk është Njësi në kuadër të Policisë së Kosovës, ashtu siç po i referohen z.Gashi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe persona të tjerë që kanë publikuar shkrime deri me tani lidhur me këtë çështje.